nga Ermal Mulosmani

“Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithmonë si gangsterë ndërsa të voglat si prostituta” – ka thënë regjisori ndoshta më i madh i kinemasë Stanley Kubrick.

Në fakt kjo shprehje më sjell në mendje një tjetër mardhënie mes të fortëve, jo prostitutat por “çerrat e vegjël”.

Gangsterët shpesh mbajnë rreth vetes disa adoleshentë mistrecë e provokatorë që janë gati të bëjnë çdo lloj krimi sepse 1) ndihen të mbrojtur nga një fuqi madhore dhe 2) duan ti tregojnë shefit të madh sesa të fortë e besnikë janë.

Këta tipat janë më të këqinj se të gjithë gangsterët. Të bien në qafë kotnasikoti, gjuajnë moshatarët e urtë, shesin pordhë nëpër lagje, flasin me zë të lartë, shajnë rivalët e gangsterit të tyre, ngërdheshen pa arsye dhe bullizojnë psiqikisht e fizikisht të madh e të vogël. Gangsterët kënaqen, kryejnë punët më të pista e kriminale me duart e tyre.

Mirëpo i gjithë mllefi i lagjes apo ambientit, e gjithë armiqësia ndaj gangsterit akumulohet prej këtyre mistrecëve. Edhe kundërshtarët më të mëdhenj të gangsterëve më inat se rivalin kanë çerrat afër tij, këta që ndërsehen për krime. Ata ëndërrojnë ditën kur të bien pak pushteti i rivalit që të masakrojnë çerrin.

E gjithë sjellja ndërkombëtare e Shqipërisë më sjell ndërmend çerrin mistrec. Nuk bën samite Amerika bën Shqipëria! Nuk merr opozitën iraniane Amerika e merr Shqipëria. Nuk merr afganët e korruptuar Amerika i merr Shqipëria; kritikojmë Donald Trumpin, Rusinë, Kinën, Iranin..
Çfarë çerri mistrec! Mirëpo, fatkeqësisht, mund të paguajë një ditë dhe do jemi ne që paguajmë jo ai që i merr këto “inkursionet e çerrave”.