Nga Berat Buzhala
Kosova me më pak se 2 milionë banorë, brenda një viti importon mbi 700 mijë tonë naftë, kurse Shqipëria me rreth 3.5 milionë banorë dhe me numër enorm të turistëve, brenda vitit importon rreth 600 mijë tonë me naftē. Si është e mundur kjo dhe cilat janë pasojat? Lexojeni më poshtë.
Rrugës për në një studio televizive, kur e kishte kaluar traun dhe kishte paguar gjobën për të, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kishte thënë se ai kur shkon në Shqipëri dëshiron të shkojë në vendin e Kastriotit dhe jo në vendin e Kastratit.
Ishte gjetje e bukur kjo, mirëpo unë mendoj që edhe Shefqet Kastrati është njëfarë Gjergj Kastrioti i shekullit 21, mirëpo për dallim nga Gjergji, Shefqeti po lufton me popullin e tij. Duhet ta pranojmë një gjë, aq i madh është zullumi që po i bëhet popullit, sa është e admirueshme gjithë ajo rezistencë.
Në këtë betejë kundër popullit, Shefqeti nuk është vetë. Ai është në një aleancë të shenjtë me kryeministrin e Shqipërisë, që ngritet në këmbë sa herë që dikush revoltohet nga çmimet e larta të naftës. Qeti nuk ka nevojë bile as të ketë zëdhënës, këtë e bën i pari i shtetit, në emër të tij. Dhe këtë gjë e çmoj tek Edi. Ai kur e vendos që ta përkrahë dikënd, këtë e bën në mënyrë shembullore.
Pra, me fjalë të tjera, shqiptarët përveçse po luftojnë me Gjergjin e Zi, ata e kanë kundër vetes edhe Ramën, le të themi Venedikun. Për të mos mjaftuar e gjithë kjo aleancë, shqiptarët i kanë kundër vetes edhe mediat, le të themi Raguzën. Pra, rezistenca e shqiptarëve ndaj gjithë këtyre armiqve të tyre është epike, është spartane.
Bëhet një zhurmë në media, sa për të thënë, sa për të mos kaluar e gjithë kjo masakër pa u vërejtur, sa për të mos thënë se çdo gjë është e kapur, por askush nuk dëshiron ta trajtojë problemin sipas meritës.
Pra, çka është realisht problemi dhe përse Edi Rama dhe qeveria nuk e ka aspak problem që të futet në debat me qytetarët për çmimin astronomik të një litri të naftës apo benzinit? Sepse, nëse ky problem trajtohet ngushtësisht kështu, pra si një litër, të cilës pastaj i shtohet edhe akciza, taksa rrugore, taksa e ambientit dhe TVSH, atëherë vërtet marzha e profitit të Shefqetit nuk duket aq e lartë sa mendohet, posaçërisht nëse e kemi parasysh ndryshimin e çmimit të këtij produkti në bursën ndërkombëtare. Tash, as kjo nuk është kaq e thjeshtë, sepse është banale të shtrenjtohet çmimi i naftës me pakicë në afërsi të Kalimashit, sapo nafta të shënojë rritjen në Honk Kong. Ajo naftë që po shitet në afërsi të Kalimashit, kur është futur në Shqipëri nuk është tatuar me çmimet që sapo u ngritën në Honk Kong, por sido që të jëtë po ua falim këtë kabahat. Po ua falim edhe marzhën e profitit, pasi që produkti ngarkohet me të gjitha taksat dhe tatimet.
Ajo çfarë shqiptarët nuk duhet t’ia falin kësaj qeverie, është mënyra se si e toleron kontrabandën e këtij produkti. Në bazë të të dhënave zyrtare të shtetit shqiptar për çdo vit në Shqipëri importohen mes 500 dhe 600 mijë tonë në vit. Në anën tjetër, në Kosovë, që ka përgjysmë më pak vetura dhe banorë, për një vit importohen pak më shumë se 700 mijë tonë naftë.
Ne mund të futemi tash në debate të gjëra, dikush mund të thotë që duhet ta argumentojë kontrabandën, të shkojë në vend të ngjarjes ta zë ndonjë maune duke u futur ilegalisht në Shqipëri, por një gjë e tillë tash është e pamundur. Jo vetëm që është e pamundur, por është edhe kundërproduktive.
Rastin e naftës në Shqipëri duhet shikuar vetëm në rrafshin e numrave dhe atë ta krahasojme me, bie fjala, Kosovën. Vitin e kaluar në Kosovë janë importuar pak mbi 700 mijë tonë naftë, ose rreth 1 miliard litra. Kurse në Shqipëri, brenda të njëjtit vit janë importuar pak më pak se 600 mijë tonë.
Pra, një vend me rreth 3.5 milionë banorë, me një turizëm masiv gjatë muajve të verës, ka importuar naftë më pak se sa një vend me rreth 1.7 milionë banorë. Dikush në Shqipëri më tha që ky vend edhe e prodhon një sasi të limituar të naftës, por që edhe pas të gjitha gënjeshtrave që mund të bëhen mbi gjoja prodhimin, askush nuk mund të thotë që prodhimi i kalon 100 mijë tonë në vit. Kështu, në përgjithësi, me dokumentacion, në variantin më optimist, në Shqipëri thuhet, ose paguhet tatime, akciza, taksë e ambientit, TVSH, për 600-700 mijë tonë naftë në vit. Kaq paguan edhe Kosova, për përgjysmë më pak banorë.
Fatkeqësia është që këtu nuk përfundon e keqja, këtu në fakt fillon e keqja. Nafta e importuar ilegalisht, ose që futet në mënyrë ilegale, duke mos i paguar tatimet, ku shitet? Në furra të bukës? Jo. Në dyqane të lagjes? Jo. Ajo shitet, në pompa të benzinës. Tash, çdo shqiptar, për secilën litër naftë të blerë këto ditë i paguan pak më shumë se 1 euro taksa, përfshirë këtu edhe të ashtuquajturën taksë rrugore. Këtu është edhe fitimi i madh i kontrabanduesve. Ata i ngarkojnë shqiptarët me tatime dhe taksa, për naftën e vjedhur, ndërsa kjo nuk shkon fare në buxhetin e shtetit. Përkundrazi, sa më shumë që rritet çmimi i naftës në bursë, aq më shumë rritet taksat e naftës me pakicë, që do të thotë aq më e madhe është plaçka.
Për një litër naftë, që para taksave, le të themi kushton 70 cent dhe për një litër naftë që para taksave kushton 1 euro, TVSH është më e lartë të çmimi që para taksave është 1 euro. Mirëpo, ky çmim nuk është Vlerë e Shtuar për buxhetin e shtetit, sepse shitjet në të zezë shkojnë direkt në xhepin e kontrabandistëve, duke përfshirë këtu edhe tatimet dhe taksat.
Dy-tri burime në Shqipëri më kanë treguar që mbi 70 përqind e naftës së importuar kalon përmes depove të Shefqet Kastratit. Që do të thotë Shefqeti, sipas krejt standardeve se çfarë quajmë monopol, ai ka monopol mbi këtë produkt. Gjithashtu, taksat mbi këtë produkt ngarkohen kur ai gjendet në depot doganore, e jo në shitjet me pakicë. E rëndësishme për kontrabanduesit është që nafta të arrijë të dalë prej doganës, pastaj kur del nga aty, çdo gjë është më e thjeshtë.
Pra, shqiptarët, përveçse e paguajnë çmimin më të lartë për një litër naftë, ku banalisht në këtë çmim është e llogaritur edhe taksa e rrugës, ata paguajnë për taksë të rrugës, për akcizë dhe TVSH, edhe për çdo litër të naftës që në Shqipëri është futur në të zezë.
Në fakt nuk është futur banalisht taksa e rrugës, e cila është rreth 35 lekë në litër. Prapa kësaj takse rrugore, fshihet një krim i madh. Një njeri me mendje të shëndoshë, do të mund të thoshte që efektivisht kjo taksë shkon kundër interesave, le të themi të Shefqetit dhe shefqetëve, sepse e bën tregun shqiptar më pak atraktiv se sa Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. Për shkak të çmimit më të lartë, banorët e Kukësit, ose Pogradecit kanë levërdi më të madhe që veturat e tyre t’i mbushin ne naftë në vendet fqinje. Pse duhet Shefqeti t’i bëj konkurrencës vetes, kur ndikimi i tij të Rama është mjaftueshëm i madh sa ta bindë atë që ta heq taksën rrugore nga çmimi në litër të naftës?
Por ai nuk e bën këtë, sepse kjo taksë rrugore e futur në naftë, i mundëson atij dhe tregtarëve tjerë që të fitojnë shumë më shumë prej shitjes së naftës së kontrabanduar, se sa do të mund të fitonin nga margjina e fitimit të naftës legale. Pra, sikur të mos ekzistonte taksa e rrugës, disa banorë të fshatrave fqinje do të blinin naftën e vendit të tyre, nuk do të dilnin në Kosovë, gjë që do t’i sillte Shefqetit një fitim – le të themi prej 5 për qind – mirëpo do ta ulte për 35 lekë fitimin që ai korr nga nafta ilegale, duke ia shtuar asaj taksën rrugore. Fitimi ilegal, duke e pasur si pretekst taksën rrugore, është shumë më i madh se sa fitimi legal sikur ajo taksë të mos ishte ngarkuar në çmimin e naftës. Prandaj, bosat e arit të zi e tolerojnë këtë taksë që në dukje të parë e bën Shqipërinë vend jo-atraktiv për të blerë naftë, por që të gjitha këto të hyra nga Ari i Zi në fund përfundojnë në xhepat e këtyre oligarkëve.