IMG_9240

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, u shua këtë të shtunë 25 janar, në moshën 95-vjeçare, pas një periudhe të gjatë qëndrimi në spital dhe një gjendjeje të rënduar shëndetësore.

Ai ndërroi jetë në Athinë, në spitalin “Ungjillizimi”, ku po merrte trajtimin pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.

Pavarësisht përpjekjeve mjekësore dhe kujdesit intensiv që ai mori, gjendja e tij u përkeqësua, për shkak të funksionimit të pamjaftueshëm të disa organeve. Trupi i tij do të sillet në Tiranë për t’u nderuar me homazhe.

Kush do ta udhëheqë Kishën Otodokse?

Pas vdekjes së Kryepeshkopit, brenda dy javësh pritet të mblidhet Sinodi i Shenjtë, i cili përbëhet nga 6 mitropolitë. Ata do të votojnë për të zgjedhur Kryepeshkopin e ri, sipas rregullave dhe traditave të Kishës Ortodokse.

Në përputhje me ligjet kanonike, Kryepeshkopi i ri duhet të jetë një nga mitropolitët ekzistues, dhe zakonisht përparësi ka ai që konsiderohet më i vjetri në shërbim.

Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joan Pelushi, shihet si kandidati më potencial. Ai ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i Kryepeshkopit Anastas, duke i qëndruar pranë deri në momentet e fundit.

Gjithashtu, Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës do të ketë një rol këshillimor, për të siguruar që procesi të zhvillohet në harmoni me traditat dhe kanonet e Kishës Ortodokse.

Por kush është At Joani Pelushi?

At Joani Pelushi (Fatmir Pelushi), Mitropoliti i Korçës ka lindur më 1 janar të vitit 1956. Ai ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara dhe është një folës i mirë i gjuhës angleze.

At Joani është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”. Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Peshkop Fan Nolit.

Çfarë do të ndodhë tani me Kishën Ortodokse: Kush do

At Joani Pelushi

Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Pas diplomimit në “Kryqin e Shenjtë” me Master në studimet Teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të japë mësim në Seminar, si edhe të shërbejë në vende të tjera brenda Kishës. Ai e hirotonisi në dhjak në 27 shkurt 1994, e më pas si prift në 4 dhjetor të të njëjtit vit.

Në vitin 1995 merr një të drejtë studimi edhe rikthehet në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar studime të mëtejshme. Kur u kthye në 1996-tën, caktohet si drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës, si edhe ngrihet në rangun e Arkimandritit në 19 nëntor.

Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropoliti i Korçës edhe u fronëzua dy ditë më pas.

Ai ka përkthyer një numër librash në shqip.

Gjithashtu Mitropoliti i Korçës Joani ka botuar artikuj të shumtë në gazetën “Ngjallja”, ka referuar kumtesa nëpër simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit duke përfaqësuar me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Me kujdesin e tij del në qarkullim revista “Tempulli”.