Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7,7 që tronditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e djeshëm ka lënë mijëra të vdekur.
Lajmi i tërmetit ka tronditur gjithë botën, me videot e postuara që tregojnë shkatërrimet e lëna pas nga lëkundjet e forta, ndërtesat e shembura si dhe qytetarët që mblidhen në hapësira të gjera për të shpëtuar nga tërmeti i radhës, transmeton A2Cnn.
Në rrjetet sociale po qarkullon edhe një video që tregon një dritë të çuditshme që u shfaq në qiell pak para nisjes së tërmetit. Çfarë është ajo?
Edhe pse nuk mund të thuhet saktësisht, këto duket se janë të ashtuquajturat dritat e tërmetit, një fenomen në të cilin dritat shfaqen në qiell pikërisht në momentin e nisjes së lëkundjes. Siç shpjegohet nga ekspertët, këto drita mund të vijnë për dy arsye.
“E para, kur në momentin e tërmetit, lëkundjet shkaktojnë qarqe të shkurtra në disa transformatorë apo kabllo elektrike, duke gjeneruar shkëndija dhe shpërthime zjarri”, thotë eksperti.
“E dyta, janë dritat e tërmetit, ekzistenca e të cilave është e diskutueshme për disa studiues, por të tjerë kanë kërkuar ta shpjegojnë atë. Diçka që dihet sot është se këto drita janë rezultat i ndërveprimit të ngarkesave elektrike që ekzistojnë në nëntokë dhe se ato janë gjithmonë të pranishme falë përbërjes së saj minerale”, shpjegon Quintero.
Toka përbëhet nga materiale të ndryshme, në disa vende ka shkëmbinj magmatikë (origjina e të cilëve është ftohja e magmës), të cilët kanë një përmbajtje minerale shumë të pasur dhe i nënshtrohen kombinimit elektrik, sipas UNAM. Hernández Quintero, i cili është gjithashtu kreu i Shërbimit Magnetik UNAM, thekson se ndonjëherë, pa pasur nevojë për një tërmet, ngarkesat elektrike grumbullohen dhe shpërndahen nën tokë.