Policia e Durrësit ka arrestuar një 27 vjeçar dhe ka proceduar penalisht bashkëshorten e tij, një 25 vjeçare, pasi janë shfaqur mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke planifikuar shitjen e foshnjës që gruaja mbante në bark, për 5,000 euro.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro”, njofton Policia e Durrës, teksa falenderon mediat për denoncimin e rasteve të paligjshmërive.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.