Nëse vapa me temperatura ekstreme nuk është mjaftueshëm për t’ju “shkatërruar” netët e verës, ju e dini mjaft mirë që keni edhe mushkonjat! Ndaj insekteve që duket se janë betuar për luftë ndaj njerëzimit 3 muajt e verës ka disa zgjidhje, përfshirë këtu edhe disa produkte apo kimikate të kushtueshme, por jo gjithmonë funksionojnë. Prandaj do ju sugjerojmë disa metoda krejt natyrale që mund t’i japin zgjidhje një herë e mirë problemit me mushkonjat.

Përdorni ngjyra të çelëta

Lindja dhe perëndimi i diellit janë momenti kur këto insekte dalin të ushqehen, por ju nuk keni pse të mbylleni brenda në këtë orë. Ngjyrat e errëta u bien në sy mushkonjave kur dalin të kërkojnë për ushqim, por ato të çelëtat janë më pak tërheqëse për to duke qenë se kërkojnë kryesisht ngjyra që bëjnë kontrast.

Rrethojeni veten me livando

Kjo lule aromatike bën një punë të trefishtë duke mbajtur larg mizat, mushkonjat dhe molat. Nëse e rrethoni kopështin tuaj me livando aroma e saj do i mbajë larg insektet. Për të qenë më të sigurtë mund të fërkoni edhe duart e këmbët me livando, ose të përdorni një vaj esencial me këtë bimë në vend të sprajit me kimikate. .

Mbani peceta me aromë në xhep

Nëse nuk keni vaj esencial apo një kopësht, çfarëdo lloj arome e fortë lulesh do i mbajë mushkonjat larg. Mjafton të mbani një pecetë të thatë në xhep.

Hudhrat!!

Vaji i hudhrave që çlirohet nga poret tuaja pas konsumit funksionon si barrierë mes aromës së trupit tuaj dhe mushkonjave. Por merrni parasysh, mund të mbajë larg edhe miqtë dhe familjen bashkë me mushkonjat!

Fryjini larg

Keni dëgjuar se uji i tërheq mushkonjat, por era i largon ato. Edhe një erë e lehtë ia bën të pamundur fluturimin. Një freskuese në punë do t’i reduktojë në maksimum! Mbajeni në pozicion të ulët sepse mushkonjat fluturojnë poshtë.