Një aksion i Drejtorisë së Krimit në Policinë greke ka nisur që sot në mëngjes; qëllimi? Arrestimi i anëtarëve të një grupi kriminal që merret me trafik droge në qarkun e Atikës. Sipas medias greke “Kathimerini“, hetimi është bazuar në bisedat e zhvilluara në aplikacionin “SkyECC”, i cili u çkodua nga autoritetet franceze dhe Europol.

Sipas informacioneve të para të bëra me dije për mediat, më shumë se dhjetë persona janë arrestuar për trafik kanabis, kokainë dhe lloje të tjera droge. Mes të arrestuarve janë edhe tifozë të skuadrës së “AEK-ut”. Një grup policësh të anti-drogës kanë shkuar edhe në Mykonos ku u identifikua një kompani roli i së cilës po shqyrtohet. Ndërsa vetëm javën e shkuar, Policia greke kreu arrestimin e një efektivi 42-vjeçar që i shërbente bandave kriminale.

Ai shantazhonte trafikantët e drogës se do t’i përfshinte në dosjet e shërbimit nëse nuk paguanin për të. Po ashtu, u kërkonte para edhe për të dëshmuar në favor të tyre në gjyq. Po ashtu, në pranga ka përfunduar edhe Sandër Pema. Ai ka qenë anëtar i bandës së Marian Kolajt, një i arratisur nga burgjet greke, i cili u ekzekutua nga Policia greke, gjatë një përleshjeje të armatosur në afërsi të kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në vendin e ngjarjes ishte edhe vetë Pema.

Në vitin 2010, Pema pati sërish një përplasje me armë me efektivët grekë dhe u vendos në pranga. Pasi doli u arrestua sërish pasi konsiderohej si një nga personat që kishte krijuar një rrjet trafiku droge në bashkëpunim me Jurgen Mollën. Pasi kreu dënimin, doli për t’u arrestuar edhe njëherë në vitin 2020. Mesa duket edhe atë kohë ka dalë dhe ka nisur që të vendosë kontaktet me oficerin grek, në mënyrë që të mos e “shihte” më qelinë e burgut.

Si u zbuluan bisedat?

Në dy vitet 2020-2021, autoritetet e zbatimit të ligjit në Belgjikë, Holandë dhe Francë kishin arritur të çmontonin dy aplikacione kyçe të komunikimit të koduar të përdorura nga anëtarët e krimit të organizuar në Evropë dhe në mbarë botën. Përveç SkyECC, autoritetet kanë “krisur” edhe aplikacionin EncroChat, duke shfrytëzuar përmbajtjen e komunikimeve. Në Greqi, autoritetet e ndjekjes gjatë dy viteve të fundit kanë përdorur vetëm pjesë-pjesë të dhënat nga serverët e SkyECC dhe EncroChat. Gjithsej, për vendin fqinjë, janë 4500 skedarë audio, 28 milionë sms dhe 250 000 foto me interes që po hetohen nga autoritetet kompetente. /gazetajone