Vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja akuzohen zyrtarisht nga SPAK se janë në krye të një grupi kriminal përgjegjës për trafikun e kokainës në Shqipëri dhe në disa shtete europiane, si dhe për vrasjen e kundërshtarëve të tyre, kryesisht në Elbasan.
Gati dy dekada më parë ata ishin shpërndarë të thjeshtë të kokainës në doza të vogla, punonin për të tjerët në qytezat italiane dhe çonin “pikat” atje ku i kërkonin klientët, derisa nisën të krijonin fuqinë e tyre ekonomike.
Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi, pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.
Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Franc Çopja, krimineli i parë i ekstraduar nga Dubai në Belgjikë
Shqiptari Franc Gergely alias Franc Çopja nga Elbasani, 31 vjeç, mori titullin e palakmueshëm të kriminelit të parë të drogës i ekstraduar nga Dubai në Belgjikë.
Franc Çopja ndodhet në një qeli belge, Gergely njihet si mbreti absolut i mjedisit shqiptar, një lider klani që konsiderohet përgjegjës për të paktën nëntë vrasje.
Kush është ky njeri, i cili drejtoi biznesin e tij të pistë nga një vilë shumë milionëshe në Dubai dhe u ekspozua përfundimisht nga mesazhet e deshifruara të Sky ECC për bashkëpunëtorët e tij?
Kur Frank Gergely hipi në një avion privat të rezervuar posaçërisht nga qeveria belge nga Dubai, i shoqëruar nga hetuesit e policisë gjyqësore federale të Brukselit, ai e dinte se perandoria e tij kishte marrë fund.
Më 16 qershor 2023, Prokuroria Federale kërkoi zyrtarisht arrestimin dhe ekstradimin e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Belgjika kishte nënshkruar një traktat ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili përfshin gjithashtu Dubain, në dhjetor 2021 nga ish-Ministri i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne.
Traktati, i cili u negociua me vështirësi, fillimisht duhej të ratifikohej nga të dyja vendet dhe nuk hyri në fuqi deri më 1 nëntor 2022.
Gergely u arrestua në Dubai më 14 shtator 2023 dhe që atëherë ka qenë në burg.
Franc Gergely është zakonisht shumë i matur në lidhje me aktivitetet e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, por një zhvillues projekti nuk mund të rezistonte duke treguar në faqen e tij të internetit vilën e ndërtuar për të në vitin 2021 në Dubai Hills, zemra e gjelbër e Dubait.
Për të interesuarit: çmimi fillestar për një vilë me 4 dhoma gjumi në këtë projekt ekskluziv të pasurive të paluajtshme fillon nga 1.5 milionë euro dhe shkon deri në 7.8 milionë për një vilë me 7 dhoma gjumi.
Tashmë “Zotit” shqiptar të drogës do t’i duhet ta shkëmbejë atë banesë luksoze me një qeli në burgun e Harenit.
Është një shenjë e kohës për bosët e tjerë të drogës që ndihen të paarritshëm në vendin arab.
Përralla e Dubait si një strehë e sigurt për kriminelët me shumë para ka përfunduar, ka deklaruar tashmë ministri i Drejtësisë Paul Van Tigchelt.
Franc Çopja allias Franc Gergely përballet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor.
Vrasja e Ardit Spahiut në Belgjikë, kunati i Erion Alibej
Ekzekutimi i drejtpërdrejtë i shqiptarit Ardit Spahiu më 27 nëntor 2020 ishte një dhunë e paprecedentë edhe për botën e krimit të Brukselit.
Spahiu, 38 vjec, po dilte nga një kafene në Condorlaan, pranë Edmond Machtenslaan, në orët e para të mbrëmjes kur një VW Golf GTI 6 e zezë kaloi pranë tij.
Një person ka dalë dhe ka hapur zjarr ndaj Spahiut të befasuar me automatik. U qëlluan tetëmbëdhjetë të shtëna, Spahiu u godit nga tetë plumba dhe vdiq në vend.
Hetimi zbuloi se urdhri fillestar ishte vrasja e të gjithë familjes së tij, dy ekzekutorët u arrestuan në Spanjë dhe Gjermani.
Franc Gergely dhe Ardit Spahiu nuk janë të huaj me njëri-tjetrin. Ata i përkasin dy klaneve rivale shqiptare të përfshira në trafikun e gjerë të kokainës.
Fuqizimi i “SAKATIT” ndërkombëtarisht
Gergely është mbreti absolut i mjedisit shqiptar të drogës dhe i përket klanit Çopja, të njohur më mirë si “Sakati”, me bazë Dubain.
Në një distancë të sigurt dhe në strehë, ai mban një kontroll të fortë mbi gjërat.
Organizata e tij është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve dhe importon kokainë në një shkallë të gjerë nga Amerika e Jugut.
Droga hyn në Belgjikë përmes porteve të ndryshme, përfshirë Antwerpin, por edhe përmes porteve të tjera evropiane si Roterdami.
Në Bruksel, kokaina, e cila shpesh fshihet në substanca të tjera, përpunohet në të ashtuquajturat lavanderitë e koksit, pas së cilës droga u dërgohet blerësve në Evropë. Të ardhurat shkojnë tërësisht në Shqipëri.
Ardit Spahiu finacuesi i “klanit Alibej”
Ardit Spahiu, i njohur si “Arjani i vogël” i përket klanit rival Alibej dhe njihet për policinë si financues dhe sponsor i disa vrasjeve në Elbasan, Durrës dhe Kavajë.
Spahiu u arrestua në vitin 2010 si i dyshuar për vrasjen e 52-vjeçarit Gëzim Alikaj në qytetin e tij të lindjes në Elbasan, por më pas u la i lirë.
Së bashku me vëllain e tij të madh Rigers, Ardit Spahiu ka lidhje edhe me kriminelin famëkeq Erion Alibej.
Ai ndodhet në burg si organizator i vrasjes së dyfishtë të Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runaj më 20 dhe 29 qershor 2020, po në qytetin e Elbasanit.
Endrit Alibej, vëllai i Erionit, u vra disa vite më parë me dajën e tij Arben Dylgjeri dhe turkun Erdal Duranay në Bradashesh.
Përplasja që mbuloi me “gjak” Elbasanin
Grindja mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua në vitin 2018 pasi një ngarkesë e madhe kokaine humbi në Britani.
Të dy klanet fajësuan njëri-tjetrin për transaksionin e drogës që shkoi keq. Që atëherë, disa ngjarje pasuan.
Vetë Gergely është i lidhur me jo më pak se nëntë vrasje me pagesë, gjashtë prej të cilave janë kryer në Shqipëri dhe të paktën një në Belgjikë, ajo e Spahiut. Ai vetë nuk i ndot duart, prandaj klani i tij punon me vrasës.
Ekzekutimi i Ardit Spahiut në Molenbeek ishte një vrasje e tepërt për Franc Gergely. Pas një hetimi të plotë gjyqësor në mjedisin shqiptar dhe me ndihmën e mesazheve të deshifruara nga kiptofonat Sky ECC, FGP-ja e Brukselit arriti të hartojë organizatën.
Një veprim ligjor i paprecedentë pasoi në tetor 2021 me kontrollet e 1100 oficerëve të policisë. Qëllimi: çmontimi i rrjetit shqiptar të kokainës.
Gjithsej 192 kontrolle u kryen në të gjithë vendin, por fokusi ishte në Bruksel. Hetuesit zbuluan njëmbëdhjetë laboratorë kokaine dhe pesë plantacione kanabisi.
Ata sekuestruan mbi 32 tonë kokainë, përveç vilave, makinave të shtrenjta dhe apartamenteve luksoze me vlerë mbi 7 milionë euro.
Në të njëjtën kohë ka pasur edhe një operacion policor në Shqipëri, ku janë sekuestruar 15 prona, makina të shumta, madje edhe dy skafe.
Anëtarët e bandës, kryesisht shqiptarë dhe gjithashtu kolumbianë, janë aktualisht në gjyq në gjyqin më të madh kriminal të drogës ndonjëherë në vendin tonë. 142 të dyshuar janë në gjyq në ndërtesën Justitia në Evere, gjyqi ndoshta do të zgjasë pesë muaj.
Si vëllezërit Çopja pastronin paratë e krimit duke investuar në ndërtim në Shqipëri
Paratë e drogës duket se vëllezërit, Franc dhe Hajdar Çopja paratë e drogës, i pastronin në Shqipëri duke investuar në ndërtimin e godinave dhe komplekseve të banimit.
Po ashtu thuhet se organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave.
Faktet penale që gjunjëzojnë klanin “ÇOPJA”
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur ngjarjet e serisë së vrasjeve të ndodhura më herët në Shqipëri dhe që kishin si “kokë” organizative dy vëllezërit nga Elbasani, Hajdar dhe Franc Çopja.
Në njoftimin e SPAK, thuhet se organizata kriminale e ka filluar veprimtarinë e saj në vitin 2006-2007 në trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa në vitin 2018 ato filluan të zgjerojnë aktivitetin kriminal të tyre duke paguar vrasës me pagesë me qëllimin për të hequr nga tregu i kokainës konkurrentët e tyre.
Gjatë viteve, vëllezërit Çopja kryen 4 atentate me 6 të vdekur dhe 2 të plagosur si dhe 3 tentativa për eliminim të disa personave, por të dështuara.
Vrasja e parë e tyre u shënua në fundin e vitit 2018, konkretisht mbrëmjen e 29 dhjetorit, ku u vra Endrit Alibej, eksponent ky i njohur në trafikimin e kokainës, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, bashkë me dy shokët të tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk, Erdal Duranay.
Atentati i dytë i vëllëzërve do të zhvillohej 6 muaj më vonë, në datën 1 korrik të vitit 2019 në fshatin Broshkë të Elbasanit, ku ata vranë shtetasin Klevin Baho, ndërsa u plagos rëndë vëllai i tij, Aldo (Aleksandër) Baho.
Më 13 dhjetor të 2019 në fshatin Përparim në Peqin u vra Andi Zylfi, ndërsa mbeti i plagosur Ardit Uruçi, ngjarje kjo që kishte si porositës sërish dy vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete.
Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare.
Shqipëria ende nuk ka kërkuar ekstradimin e dy vëllezërve “ÇOPJA” të arrestuar, Franci në Belgjikë dhe tjetri i njohur si “Dari Elbasanit”.
Por ky aksion i drejtësisë shqiptare i dha një goditje të fortë “klanit” që gjunjëzoi Elbasanin për shumë vite.