Kur kanë kaluar 5 ditë nga zbulimi i vrasjes së Pëllumb Metës, dy fëmijët e tij vijojnë që të bëjnë ping-pong me njëri tjetrin, se kush e ka shkrepur armën që vrau babanë e tyre. Pavarësisht se dje në Gjykatë, Hygerta Meta mori sërish përsipër vrasjen e babait të saj, hetuesit e policisë së Durrësit janë të bindur se Pëllumb Meta është qëlluar nga djali i madh, Hyseni. Ky i fundit pranoi fajin ditën e premte, disa orë pas gjetjes së trupit të pajetë, dhe u tërhoq dje në Gjykatë.
Duke iu referuar plumbave që u gjetën në trupin e viktimës, grupi hetimor ka dalë në konkluzionin, se autori i vrasjes ka qenë rreth 1 metër e 75 cm i gjatë. Ndërkohë në skenë prej dy ditësh kanë dalë dhe vëllezërit dhe motrat e Pëllumbit, të cilët hedhin akuza ndaj kunatës së tyre, bashkëshortes së të ndjerit. Fillimisht motra, dhe më pas vëllai i Pëllumb Metës në dalje të ndryshme televizive, kanë akuzuar Blerina Metën si autore të vrasjes, ndërsa pranojnë se prej kohësh nuk kishin hyrje dhe dalje me familjen e të vëllait.
“Nuk di që vëllai im të ketë qenë konfliktual në familjen e tij. Fjalë do bëjmë të gjithë, por jo konflikte të mëdha. Edhe sikur vëllai im të ishte konfliktual, kjo nuk bëhet. Në gjumë e kanë vrarë, se nuk kishte takat ajo kriminele (kunata) ta bënte atë punë. Vëllai im ka jetuar mes kriminelëve. Ai përpiqej për fëmijët e tij, duke punuar ku të gjente dhe ja si ja shpërblyen. Vëllai im ushqeu kriminelët. Ngjarja është bërë me paramendim. Këta kanë punuar me vite për këtë krim. Derisa u bë ajo makabër, ata tani mund të thonë çfarë të duan. Hetuesit të bëjnë hetimet mirë dhe ta zbulojnë ngjarjen”, ka thënë Ramazan Meta, për news 24.
Ndërkohë që të forta kanë qenë dhe akuzat që ka hedhur në drejtim të nipërve të tij. Sipas tij, djali i madh i familjes, Hyseni, ka qenë përdorues i lëndëve narkotike.
“Nuk kishim asnjë lloj marrëdhënie. Sa u bënë kaq, nuk kanë thënë asnjëherë mirëmëngjes! Vetëm djali i vogël. Nuk i linte nëna e tyre. Vetëm goca e madhe erdhi pasi ndodhi ngjarja. E mësova lajmin nga djali i xhaxhait dhe më tha; Pëllumbi nuk më ka hapur telefonin. Unë makinën e pashë në rrugë. Më tha; shih një herë ore burri i dheut, se s’më del në telefon. Nuk kishim si ta kërkonim. Nuk dinim gjë. Hapa sytë kur do e shoh sot ose nesër, që t’i kthej përgjigje. Ata e paskan rehatuar, dhe ai nuk merrte më, s’jepte kurrkund.
Sa i kam parë çdo veprim nga larg, dilnin, burrë e grua. Diskutonin, flisnin për shtëpinë për gjërat. Vëllain kur e takoja, kur vinte në shtëpi, flisnim për punën, a u lodhe. Kaq! Si gjithë të tjerët. S’di asgjë për fejesën. S’kam pasur asnjë lloj marrëdhënie me kunatën, as mirëmëngjes as mirëmbrëma nuk më thoshte. Ajo e di. Unë me vëllanë tim kam qenë shumë mirë, e kam takuar. Marrëdhëniet me vëllain i kam pasur të mira gjithmonë”, tha ai.
Prokuroria pritet që të marrë sërish në pyetje tre fëmijët, për të ballafaquar deklaratat e tyre në lidhje me ditën kur ka ndodhur vrasja, dhe rolin që ka pasur secili. Blerina Meta aktualisht është e lirë, edhe pse nën hetim, për akuzën e moskallëzimit të krimit.