Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez e kanë quajtur vajzën e tyre të porsalindur Bella Esmeralda. E dashura e futbollistit, 28 vjeçe, bëri të ditur emrin që kishin zgjedhur së bashku me tre fotografi të adhurueshme që e tregonin vogëlushen duke fjetur në krevatin e saj…pasi konfirmoi se vëllai binjak i fëmijës vdiq tragjikisht në lindje. Ronaldo dhe Georgina zbuluan se djali i tyre kishte vdekur në lindje më 18 prill, por vajza e tyre mbijetoi.

Kjo vjen pasi sulmuesi i Manchester United postoi një fotografi të tij duke mbajtur në dorë vajzën e tij të porsalindur të shtunën. Ai ndau një imazh bardh e zi të tij duke përqafuar foshnjën, shoqëruar me mbishkrimin “Përgjithmonë Dashuri” së bashku me një emoji me zemër dashurie në Instagram.

Duke njoftuar humbjen e tij dhe Georginas në fillim të këtij muaji, Cristiano shkroi: “Me pikëllimin tonë më të thellë duhet të njoftojmë se djali ynë ka ndërruar jetë. Është dhimbja më e madhe që mund të ndiejë çdo prind. Vetëm lindja e vajzës sonë na jep forcën për ta jetuar këtë moment me pak shpresë dhe lumturi. Dëshirojmë të falënderojmë mjekët dhe infermierët për kujdesin dhe mbështetjen e tyre eksperte”, – shkroi ai.

“Të gjithë jemi të shkatërruar nga kjo humbje dhe me mirësi kërkojmë privatësi në këtë kohë shumë të vështirë. Djali ynë, ti je engjëlli ynë. Ne do të të duam gjithmonë”, – shtoi futbollisti portugez.