Për kapitenin e Shqipërisë, Berat Gjimshiti asgjë nuk është e pamundur dhe një kualifikim i kombëtares në fazën e 1/8 mund të ndodhë edhe pse kemi përballë Spanjën në sfidën që luhet nesër në mbrëmje në Dusseldorf.
“Besoj që gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër dhe gjëja më e rëndësishme është që kemi ende rastin me kalu grupin dhe do bëjmë më të mirë tonë nesër që të provojmë ta bezdisim Spanjën. Asgjë nuk është e pamundur në jetë dhe këtë e kam besuar gjatë gjithë karrierës sime. Do të jetë ndeshja më e vështirë e grupit, por jemi këtu për të treguar përse jemi në këtë pozitë. Do të tentojmë ti shqetësojmë të bëjmë më të mirën”, tha Gjimshiti.
I pyetur nëse do të jetë më e lehtë për Shqipërinë që të dalë me 3 pikë nga kjo sfidë, pasi De La Fuente do të luajë me formacionin e dytë, Gjimshiti tha se kjo nuk përbën asnjë ndryshim pasi edhe stoli i iberikëve është i ngjashëm me 11 titullare.
Gjimshiti u pyet edhe për skualifikimin e Mirlind Dakut për dy ndeshje pas thirrjeve kundër Maqedonisë dhe gjobat e UEFA-s në drejtim të FSHF-së pas dy sfidave të para. Ai refuzoi të komentojë vendimet e qeverisë europiane të futbollit, duke thënë se nuk do të flasë për politikë, ndërsa pranoi se sulmuesi i kombëtares ka bërë një gabim me korin që këndoi së bashku me Tifozët Kuqezi pas sfidës me Kroacinë.