Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille me origjinë franceze janë turistet e huaja që humbën jetën tragjikisht teksa po eksploronin zonën në Qafë-Valbonë.

Mbrëmjen e djeshme, ato po lëviznin në shtegun Valbonë-Theth pa asnjë shoqërues që njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë shkuan në vendngjarje shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.

Edhe më parë janë shënuar raste tragjike gjatë kalimit të shtegut Theth-Valbonë, pasi turistët e huaj të cilët eksplorojnë zonën nuk e njohin terrenin.

Ndërkohë një rast tragjik u shënua edhe një ditë më parë edhe në kanionet e Osumit, ku rrjedha e lumit mori para turistin holandez, Jules Schurmmans, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.