Personi që shihni në foto është Agustin Kaza 44-vjeç, të cilit iu bë atentat disa ditë më parë në Belgjikë, ndërsa ditën e djeshme ndërroi jetë.
Pas rreth një jave në koma, shqiptari 44-vjeçar ka humbur betejën me jetën duke mbyllur sytë përgjithmonë.
44-vjeçari ishte duke pirë kafe te në një lokal i njohur si “kafeneja e shqiptarëve”, me emrin “te Xhoni”, ku një person e qëlloi me 4 plumba. Kaza mori një plumb në kokë dhe tre në gjoks, që rezultuan edhe fatale.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe për identifikimin dhe arrestimin e autorit, teksa deri më tani janë shoqëruar 14 persona që dyshohet se mund të kenë dijeni me ngjarjen.
Mediat e huaja bëjnë me dije se dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi vëllai i Agustin Kazës, Martin Kaza akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Gjini.
Si nisi hakmarrja mes fisit Kaza dhe Gjini
Më datë 7 Janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai dyshohet se u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini dhe Augustin Gjini, të cilët pas ngjarjes u arratisën.
Në vitin 1997, shtetasi Martin Kaza ka vrarë për hakmarrje në qytetin e Laçit, vëllezërit Dod Gjini dhe Augustin Gjini, të cilët kanë qenë autorët e dyshuar të vrasjes se vëllait të tij në vitin 1994.
Martin Kaza është dënuar për vrasjen me 22 vite burg për veprat penale ”Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim” si dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Kaza u arrestua në Londër, ndërsa në vitin 2017 u ekstradua dhe vijon të kryej dënimin në Shqipëri.
Edhe pse Martin Kaza ndodhet në burg, kjo nuk e ka ndalur gjakun mes fiseve. Edhe pas kaq vitesh, ku shënjestra e fundit ishte Agustin Kaza.
Ai ishte duke pirë një kafe, kur një person i maskuar ju afrua dhe e qëlloi me 4 plumba.