Ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, shpërtheu në lot këtë të enjte teksa u dënua me 50 muaj (4 vite e 1 muaj) burg federal për bashkëpunim me një oligark rus për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.

Përveç burgut, 55-vjeçari McGonigal, u dënua edhe me tre vjet lirim të me kusht pas burgut dhe u gjobit me 40,000 dollarë.

McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në 2018, u deklarua fajtor për akuzën në gusht të këtij viti.

“[McGonigal] e dinte mirë se veprimet e tij shkelnin ato sanksione”, tha gjykatësja federale e Manhatanit Jennifer Rearden ndërsa jepte dënimin.