Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar sot Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, për bashkë[unëtorin Arbër Sejdiu u dha dënimi prej 15 vitesh burgim.
Marigona Osmani ishte 18 vjeç kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale me të.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se e kanë vrarë Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur dhunën.
Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një serë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëpunim.
Aktakuza thotë se Sejdiu kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor ishte duke lëvizur aty.
Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.
Krivaqa më parë shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur. Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik, ku u konstatua se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.