Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, tha në “Top Story”, se Naim Murseli do të vuajë burgim të përjetshëm, për vrasjen e Liridona Ademajt, por hetimet po kryhen për të kuptuar nëse ka ende të përfshirë në këtë ngjarje.

“Nëse unë konstatoj si prokuror se ai e ka vrarë gruan se e ka tradhtuar, është vrasje për hakmarrje. Murseli do shkojë në burgim të përjetshëm, nuk i shpëton dot. Hetimet po kryhen për të vërtetuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë. Po e hetojnë dhe ekspertët suedezë dhe ato amerikane, që nuk e kuptoj pse”, tha Karamuço.

Në opinionin e Sokol Bregut, gazetari thotë se kjo ngjarje shkon përtej tradhtisë, ndërsa Naim Murseli po kërkon të fshehë motivin e tij, pasi sipas tij nëse do kishte tradhti nuk do ta vriste pas dy vitesh.

“Është një vrasje që shkon përtej tradhtisë. Mos harrojmë që janë dy familjet në gjak, ende Kosova e ka këtë, i dha një muaj besë aty sikur nuk ka shtet. Ai do të kërkojë të fshehë motivin e tij, që nuk është tradhtia, se nuk mund të rrijë duke menduar që e ka tradhtuar dhe ta mendojë për dy vite si e ka vrarë”, thotë Bregu.