Për ekzekutimin e Endrit Dokles, ish-anëtarit të bandës së Durrësit i liruar me kusht 3 vjet më parë nga gjykata e Krujës, s’ka qenë i interesuar vetëm Ervis Martinaj, i cili ofroi tek Nuredin Dumani 500 mijë euro në këmbim të vrasjes.
Por në lojën e negociatave për të goditur Doklen, është dhe një emër mjaft i njohur i botës së krimit në Fier, R.S.
Sipas një ballafaqimi të bërë në muajin Mars 2023, mes bashkëpunëtorit të SPAK, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, Dumani përmend R.S, si person që kërkonte jo vetëm eliminimin e Dokles, por dhe të mikut të tij, Arben Isufaj alias “Ben Qimja”.
”…kam diçka për të shtuar që se kam thënë më përpara. Doja të flisja për një çështje që nuk është diskutuar fare më parë. Teksa flisja një ditë me Henrik Hoxhaj, më ka dërguar në aplikacionin “Matrix” fotografi me screnshoot të bisedave që Henrik Hoxhaj, fliste me një person që quhet R.S, i cili interesohej në lidhje me vrasjen e “Ben Qimes” dhe Endrit Dokles. Personi jepte 1 milion e 200 mijë euro për vrasjen e këtyre dy personave…”-ka treguar i penduari Nuredin Dumani.
Por ky rrëfim i Dumanit, gjatë ballafaqimit në ambientet e SPAK, nuk është mbështetur dhe konfirmuar nga Henrik Hoxhaj, i cili ka shtuar se:
”…unë nuk e pranoj këtë që sapo tha Nuredin Dumani. Unë nuk kam biseduar asnjëherë me të, për këto emra që flet…”.
Rrëfim i marrë përmes procedurës së ballafaqimit mësohet të jetë filmuar dhe regjistruar në audio, duke u administruar si pjesë e fashikullit gjyqësor.
Tashmë SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit së bashku me policinë Kriminale,janë duke kryer veprime hetimore për të mësuar më shumë rreth rolit të R.S në këto ngjarje kriminal.
Emri i Renatos së Fierit, është përmendur dhe nga bashkëpunëtori tjetër Skerdi Tasi. Sipas tij, R.S mbante kontakte të personalizuara me Henrik Hoxhaj, madje është njeriu që e ka shpëtuar disa herë nga burgu Hoxhaj.
Skerdi Tasi, në dëshminë e tij tregon se R.S është urdhëruesi dhe financuesi i goditjes me armë të Agim Boriçit në Prill 2018, një personi me precedentë penalë në qytetin e Fierit.
Sipas Skerdi Tases, ishte pikërisht Tarjoni, nipi i R.S, ai që informonte Henrik Hoxhën, për lëvizjet e Gim Boriçit.
Për këtë vrasje dhe rolin e R.S, Tarjonit dhe Viron Tavanxhiut, Henrik Hoxha ka refuzuar të flasë në SPAK, duke u bërë shkak për humbjen përfundimisht të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Agim Boriçi, është një emër jo pak i njohur për policinë e qytetit të Fierit. Boriçi rezulton i proceduar për 3 vrasje dhe 1 tentativë vrasje, të ndodhura në vitet 1994 dhe 1998 në Fier.
Ai është dënuar me vendim të formës së prerë me 20 vjet burgim për veprat penale “vrasje me dashje” të shtetasit Ervin Gjini, më 12 prill të vitit 1994.
Vrasje me dashje, të Edmond Zefit, Eduard Binxho dhe “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë të Agim Ulaj, ndodhur më 5 qershor 1998. Për këto krime të rënda, fillimisht Boriçi në vitin 2001 është deklaruar i pafajshëm nga gjykata e Fierit.
Më pas në janar 2008 Boriçi, është dënuar me 20 vjet heqje lirie mnga gjykata e Apelit në Vlorë.
Ndërsa në 8 Korrik 2009, ai është shpallur përfundimisht i pafajshëm, me një vendim të Gjykatës së Lartë.
Aktualisht SPAK po heton rolin e gjithsecilit prej personave të përfshirë në këto tre atentate të dështuara ndaj Agim Boriçit në Fier./Ora News