Në fund të vitit të shkuar, ish drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, premtoi se puna për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës do të fillonte këtë pranverë.

Verifikimet e Faktoje tregojnë se puna në terren ende s’ka nisur, por ndërkohë Autoriteti Rrugor ka çelur tenderin për fazën e parë të projektit.

Sipas ARRSH zgjerimi i 5 km të para të aksit Tiranë-Durrës do të nis brenda këtij viti.

Kur qeveria iu rikthye planeve për zgjerimin e rrugës Tiranë -Durrës fundvitin e shkuar, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar premtonte se punimet do të nisnin në pranverë.

“Ne kemi të parashikuar fillimin e saj në pranverën e vitit tjetër, pra me buxhetimin e vitit 2024.”, shprehej Evis Berberi në dalje të ndryshme televizive fundvitin e shkuar.

Verifikim 

Në terren nuk ka asnjë shenjë punimesh për ndërhyrjen që parashikon zgjerimin e aksit Tiranë -Durrës. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se punimet pritet të nisin brenda këtij viti, ndryshe nga çfarë u premtua vitin e shkuar.

“Punimet për zgjerimin e rrugës Tiranë – Durrës priten të fillojnë brenda vitit 2024.”, pohon ARRSH në një përgjigje zyrtare për Faktoje, teksa saktëson se bëhët fjalë për fazën e parë të zgjerimit të rrugës.

“Vlera e financimit të kesaj faze është 2,000,000,000 Lekë me Tvsh dhe është e parashikuar në buxhetin e vitit 2024.”– vijon më tej ARRSH.

Punimet për zgjerimin e aksit 38 km do të ndahen në disa faza. Ndërhyrja e parë përfshin segmentin nga kthesa e Kamzës deri tek mbikalimi i Rinasit- 5.8 km i gjatë.

“Gjerësia aktuale është 18.6 m dhe ajo përfundimtare bashkë me zgjerimin shkon në 35.1 m”, sqaron Autoriteti Rrugor.

Sipas ARRSH-së projekti për zgjerimin e 38 km nga Tirana në Durrës në total kërkon 218 milionë euro.

Tender për zgjerimin
Në fillim të këtij muaji, Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli tenderin për dy faza të kësaj rruge. Sipas dokumentave të publilkuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i tenderit për fazën e parë është 16 milionë euro, ndërsa afati i puunimeve do të jetë 24 muaj.

Dështon zgjerimi i rrugës Tiranë – Durrës!

Tenderi për zgjerimin e superstradës Tiranë -Durrës (Faza I)

Me të njëjtin fond limit është çëlur edhe tenderi për fazën e dytë të supërstradës Tiranë-Durrës.

Dështon zgjerimi i rrugës Tiranë – Durrës!

Tenderi për zgjerimin e superstradës Tiranë -Durrës (Faza II)

Referuar dokumentave të Agjencisë së Prokurimit Publik, afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 8 maj.

Ndërhyrja emergjente 

Superstrada Tiranë – Durrës lidh dy qëndrat më të mëdha të vendit, Tiranën si kryeqytet dhe Durrësin si portin kryesor dhe vend turistik. Rruga e ndërtuar në 2001, tani numëron trefishin e trafikut të planifikuar.

Për këtë arsye, ekspertët e vlerësojnë të domosdoshme ndërhyrjen për ta bërë rrugën më katër korsi.

Dështon zgjerimi i rrugës Tiranë – Durrës!

Zgjerimi i rrugës është i nevojshme, por problematikën më të madhe unë e shoh në hyrje – daljet e këtij segmenti. Pra, fillimi dhe mbarimi i saj, sa do ta përballojnë sepse shkojmë në grykë shisheje dhe çfarë fituam? Asgjë. Ndaj plani i zgjerimit duhet të përfshijë me patjetër hyrjet dhe daljet në rrugët dytësore”, thotë inxhinier Fatmir Haxho.

Po ashtu, edhe studim projektimi për superstradën Tiranë -Durrës vë në dukje domosdoshmërinë zgjerimin e saj për shkak të trafikut të rënduar.

“Pikërisht kjo rritje e vazhdueshme e trafikut e ka bërë të domosdoshme studimin për zgjerimin e kësaj superstrade për ta sjellë në parametrat e nevojshëm për përballimin e trafikut gjithmonë e më të rënduar.”, shkruhet në raportin e përgjithshëm teknik.

“Por jo vetëm kaq sepse prej vitesh në këtë segment rrugor ka patur dëmtime të shtresave rrugore, çarje, dëmtime,ulje e gropëzime në gjatësi të konsiderueshme në të dy anët e rrugës, dhe veçanërisht në korsitë anësore të Vorë – Durrës.”, theksohet më tej raporti teknik për zgjerimin e rrugës.

Përfundim 

Punimet për zgjerimin e rrugës që lidh Tiranën me Durrësin do të nisin brenda këtij viti.

Megjithëse puna në terren ende s’ka nisur, Autoriteti Rrugor ka çelur tenderin për fazën e parë të projektit.

Ndaj, premtimin e ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi do ta kategorizojmë si pjesërisht të mbajtur./Faktoje