41-vjeçari Ilir Çami që plagosi me thikë ish-partneren e tij, Manderina Çela është njohur këtë të diel me masën e sigurisë nga gjykata e Korçës.
Gjykata e Korçës ka lënë në burg 41-vjeçarin korçar.
Autori i ngjarjes, Ilir Çami dhe e plagosura Manderina Çela kanë qenë në një marrëdhënie së bashku. Aktualisht janë të ndarë dhe të dy rezultojnë të martuar me partnerë të ndryshëm.
41 vjeçari ka shprehur pendesë për dhunën e shkaktuar ndaj ish-partneres. Ai shprehet se konflikti ka ardhur për shkak se Manderina Çela i ka pasur një borxh prej 5 milionë lekësh që ai ja ka dhënë në periudha të ndryshme.
Siç ka thënë Ilir Çami kjo është dhe arsyeja e konfliktit, pasi sipas tij, Çela nuk i kthen lekët që i ka marrë. Pavarësisht të gjithave ai ka thënë se është ende i dashuruar me ish-partneren.
Deklarata e autorit Çami
Edhe ditën e arrestimit, Çami ka pohuar se ka ende ndjenja për Manderina Çela
“Unë pasi mbarova masën e arrestit u largova për në Greqi dhe pasi jam kthyer kam rinisur me Mandarinën mardhënien tonë duke konsumuar biseda telefonike, më pas Mandarina ka dashur ta shkëpusë marrëdhënien tonë gjë që unë nuk pranova dhe në gjaknxehtësi e sipër e kam goditur me thikë”, tha ai.
Nëna e Manderina Çelës
Sipas nënës së Manderina Çelës, Fatmirës, autori gjatë gjithë kësaj periudhe ka vijuar të përndjekë të plagosurën.
“Futeni brenda e mos e nxirrni më. Vajza e sëmurë. Vajza është e martuar, ka burrë ka fëmijë. Kishin një muhabet më parë. Ishte në burg ai, por e nxorën. Vajza ime shkonte në spital, ishte sëmurë.Ishte një burrë që do e vriste vajzën ai. Vajza kishte frikë të shkonte në Korçë, sepse ai e ndiqte. Ajo ka 3 fëmijë, burrin e ka në Greqi, ai e bezdiste. Vajza do vdiste po mos e ndihmonin të tjerët. Ai e ndiqte mbrapa. Dje vajti në spital, ai e kishte ndjekur. Ajo i kishte thënë ik se do lajmëroj policinë, ai nuk ikte”, tha nëna e të plagosurës.
Si ndodhi ngjarja
Një grua u plagos me thikë në afërsi të zonës së quajtur Trekëndëshi në Korçë më 06 Nëntor 2024. Autori i ngjarjes Ilir Çami u vu në pranga nga policia menjëherë pas krimit. Konflikti u agravua deri ne goditjen me thikë të gruas. 30 vjeçarja Manderina Çela është e martuar dhe ka 3 fëmijë, ndërkohë që edhe 41 vjeçari Ilir Çami është i martuar, por nuk ka hequr dorë nga e dashura e tij, që kishte pasur lidhje jashtëmartesore dy vite më parë. Ndërkohë që 30 vjeçarja ka qenë e pajisur gjatë gjithë kësaj kohe me urdhër mbrojtje nga gjykata.