Vrasja e 39-vjeçarit Bledar Dedja në Itali po vijon të hetohet ndërsa pistat janë edhe ato të takimeve të mundshme intime.

Policia italiane po shqyrton tabulatet telefonike, bisedat dhe rrjetet sociale të tij.

Ajo që mbetet për tu kuptuar është se me kë do të takohej Dedja gjatë pasdites kur u krye krimi si dhe konfirmimit për atë që përflitet si “jetë e dyfishtë” e tij.

Zona ku ka ndodhur krimi është analizuar në detaje por tashmë hetimi bëhet më i ndërlikuar duke qenë se zona prej një jave është rihapur për qytetarët.

Specialistët e Departamentit të Hetimeve Shkencore kanë hetuar në detaje vendin ku u vra Dedja dhe do të përqendrohen veçanërisht në këqyrjen e pjesës së brendshme të makinës së tij dhe në gjetjen e çelësave të saj.

Po ashtu ende nuk është gjetur arma me të cilën është kryer krimi.

Hipoteza kryesore për momentin është se bëhej fjalë për një krim seksual ose pasioni. Zbulimi i trupit me pantallona të ulura dhe plagët e shumta me thikë të shkaktuara me furi tregojnë për një krim të kryer në sulm xhelozie apo hakmarrjeje.

Dedja mund të jetë joshur në pyll nga një person që me sa duket e njihte, i cili ka vepruar si karrem, për një takim intim, ndërsa vrasësi ishte fshehur në shkurre gati për të goditur.

Për hetuesit, të cilët ditët e fundit kanë marrë në pyetje rreth 30 persona, përfshirë të afërm dhe të njohur të viktimës, 39-vjeçari shqiptar duket se ka bërë një “jetë të dyfishtë”.