Mbi 40 persona janë shoqëruar gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit nga policia lidhur me hetimet për vrasjen e 3-fishtë që tronditi vendin, ditën e djeshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi në mbikalimin e Fushë-Krujës. Personat e shoqëruar janë njohje me viktimat, persona që mund të kenë dijeni për rrethanat apo edhe konflikte me viktimat. Të gjithë të shoqëruarit janë dërguar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, për t’u pyetur pasi në Fushë Krujë dhe Krujë nuk ka ambiente.

Sipas burimeve e gjithë ngjarja ka ndodhur në harkun kohor të 40-50 sekondave. Autorët kanë qëlluar me breshëri, duke mos i lënë mundësi viktimave të reagojnë pasi dhe ato kanë pasur armë në makinë. Nga atentati i një dite më parë mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Arbër Hoxha. Ky i fundit njihet edhe me emrin Besmir. Autorët kanë qenë profesionistë, ku sipas burimeve ata kanë siguruar edhe zonën ku do kryenin atentatin e digjnin makinën. Në të dyja këto zona nuk ka pasur kamera sigurie. Ndërkohë për të ndjekur internerarin e autorëve policia ka sekuestruar disa kamera sigurie në segmentin Thumanë-Lezhë, por edhe në zonën e Fushë Krujës.