Prokuroria e Tiranës kërkon riekspertim mjeko ligjor për kushërinjtë Maja të dhunura nga anëtarët e fisit Rraja më 6 korrik 2023.
Mjeku ligjor Elton Serani i cili hartoi ekspertizën e datës 24 korrik 2023 rezulton se është i njëjti që hartoi raportin për Xhisiela Malokun në vitin 2018 pas denoncimit të saj ndaj Rexhep Rrajës, dhe pretendimeve se ishte dhunuar prej tij.
Zbardhen dokumentet zyrtare të akt-ekspertimit të cilat tashmë i janë dorëzuar prokurorisë së Tiranës nga kreu i institutit Bledar Xhemali.
Në faqen e parë të akt-ekspertimit numër 1621 të këtij viti, për dëmtimet e shtetasit Bilbil Maja, fillimisht theksohet se ai ka shkuar në spital me tri plagë në kokë dhe dëmtime në krahë.
Më pas, në konkluzion, mjeku Elton Serani shkruan se Bilbil Maja ka thyerje të kafkës, dhe shembje të indeve të buta, por dëmtimet nuk janë të rrezikshme për jetën dhe kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë për punë mbi 9 ditë, duke u klasifikuar si plagosje e lehtë.
Akt-ekspertimi numër 1620 për shtetasin Jashar Maja, evidenton se ai ka pasur një plagë nga goditjet në kokë dhe në trup, ndërkohë që edhe në këtë rast, plagosja konsiderohet e lehtë dhe që ka sjellë si pasojë, humbjen e aftësisë për punë më shumë se 9 ditë.
Përmbajtja e dy raporteve për dy kushërinjtë e dhunuar nga anëtarët e fisit Rraja në Krujë solli të hënën, 11 shtator reagimin e prokurorisë e cila theksoi se akuzat nuk kanë ndryshuar dhe se autorët po hetohen për plagosje të rëndë dhe kanosje.
Grupi i hetimit është në fazën e kontrollit të të gjitha akteve të dosjes me qëllim zbardhjen e të gjitha aspekteve të ngjarjes. Kjo përfshin edhe dërgimin e një grupi specialistësh në Borizanë të Krujës, për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimet në gurore tek banesat e zonës.
Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u goditën dhe u kërcënuan me armë nga anëtarë të fisit Rraja, mes tyre djali i deputetit Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në arrest ndërkohë janë Ineidi Rraja, Eni Kullaj dhe Andi Rraja ndërsa pronari i lokalit Kujtim Përdaku, ku ndodhi ngjarja, është lënë në ‘Detyrim Paraqitje’ për moskallëzim krimi.