Ministria e Brendshme ka reaguar për dhunimin e një vajze 3-vjeçare në kopshtin “Stinët” në zonën e ‘Ali Demit’ në Tiranë.
Ministria e Brendshme thotë se dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së raportuar në Tiranë, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve.
Ndërkohë, tre punonjës policie të Komisariatit Nr.1 të Policisë së Tiranës janë pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor për shkelje të rënda lidhur me dhunën e ushtruar ndaj fëmijës 3 vjeç në kopshtin “Stinët”.
Kështu, janë pezulluar nga detyra zv/shefi i Komisariatit Nr.1, R.D.; shefi i seksionit për hetimin e krimeve Y.Ç. dhe specialisti për hetimin e krimeve, E.B.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pas denoncimit të prindërve të fëmijës për dhunën në kopsht, strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji.
Por, është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë kqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.