Deputetja e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, ka folur ditën e sotme për protestën e pedagogëve, të cilët kanë parashtruar disa kërkesa, mes të cilave edhe rishikim të pagave.

Bozo është kthyer pas në vitin 2004, kur ajo ishte pedagoge në Universitetin Politeknik dhe iu bashkua grevës së profesoratit për reformimin e arsimit të lartë dhe rishikim të pagave.

“Kishte shumë gjëra që nuk shkonin në atë kohë për funksionimin normal të universitetit. Bëmë një kërkesë fillimisht të cilën nuk na e morën në konsideratë dhe ndaj u detyruam që atje në shtëpinë tonë tek universiteti t’i shprehnim si të thuash ‘botërisht’ kërkesat tona, të cilat u morën parasysh. Kishte ndryshim pagash edhe ndryshime në përcaktimin e një fondi për kërkim shkencor sepse nuk bëhet shkenca pa investim”, u shpreh ajo.

Ndërsa për protestën e ditëve të sotme, deputetja pranoi se pedagogët duhet të paguhen më mirë, por deklaroi se nuk janë mundësitë të realizohen të gjitha kërkesat e tyre.

“Kërkesa mund të kemi shumë dhe mund të jenë të drejta, por duhet të shikojmë se nuk jemi të pandarë nga shoqëria dhe populli. Pra ne kërkojmë shumë gjëra… por a i kemi mundësitë t’i realizojmë? Nuk i kemi!”, vijoi Bozo.

Socialistja, eci në të njëjtën linjë me atë të kryeministrit Edi Rama, teksa tha se jo të gjithë pedagogët duhet të paguhen njësoj.

Deputetja kërkoi që pedagogët të ulen, të vrasin mendjen dhe të bëjnë projekte.

“Pedagogu nuk duhet të jetë vetëm mësimdhënies, por edhe shkencëtar. Të vrasin mendjen, të ulen e të bëjnë projekte!”, theksoi Bozo.