Sëmundja e kryeministrit Edi Rama në një kohë kur mediat ‘gëlojnë’ për skandalin e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal ka bërë që faqet e memeve të kenë ‘ushqim’ mjaftueshëm. Në shumë prej tyre janë shpërndarë foto ku ironizohet ‘mbyllja në shtëpi’ e kreut të qeverisë dhe kërkohet reagim prej tij. Nuk mungojnë as ironitë me ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Pak ditë më parë, u publikua dosja e plotë dhe aktakuza me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal.