Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 82-vjeçarit, Paulin Gina një natë më parë në banesën e tij në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se autori, 39-vjeçari i identifikuar si Fation Janina kishte shkuar në banesën e të moshuarit, për ti kërkuar atij para, por Gina nuk i kishte dhënë.

Në këto kushte, Fation Janina e ka goditur me sende të forta dhe thikë, duke i shkaktuar plagë të shumta.

Shenjat ne trup dhe mënyra sesi është kryer vrasja (mbyllja e derës) kane çuar policinë në dyshimet se autori ka qene person qe njihet me viktimën.

Sapo kane nisur hapjet e kamerave te sigurisë të një karburanti ngjitur është konstatuar lëvizja e fundit e viktimës dhe hyrjet e daljet e vetme qe kane ndodhur ne pallat gjate kësaj fashe orare, që kanë qenë ato të fqinjëve.

Menjëherë policia ka nisur marrjen në pyetje dhe janë ushtruar kontrolle në banesa.

Pasi kanë siguruar informacione nëpërmjet rrugëve operative dhe i kane bashkëngjitur dhe hetimet qe janë bere, blutë e qytetit të Durrësit kane konstatuar armët e krimit ne banesën e Fation Janinës. 39-vjecari sipas te dhënave është konsumues alkooli dhe dyshohet qe mund të këtë qene dhe i pire kur ka ndodhur ngjarja.

Njoftimi i policisë:

Policia zbardh ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 13.

Vrau me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin, fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës, pas disa orësh punë hetimore dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia zbardhi ngjarjen, identifikoi autorin e vrasjes dhe e shpalli në kërkim.

Gjithashtu, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjeteve të krimit dhe veshjeve që ka patur autori kur ka kryer krimin.

Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit (fqinj i viktimës).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, rreth orës 18:50 të datës 30.12.2024, kanë marrë njoftim se në lagjen nr.13, Durrës, ishte gjetur i pajetë në banesë, dyshohej i dëmtuar me mjet prerës, një 82-vjeçar.

Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë, grupi hetimor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjekoligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta.

Pas një pune intensive hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit F. J., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, fqinj i 82-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.

Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.