Ukraina po hyn në javën e tretë të luftës me kryeqytetin Kiev nën shtetrrethim dhe anijet ruse që bombardojnë bregdetin në jug të Odessa-s. Zelensky tani e pranon faktin se nuk do të mund të anëtarësohet në NATO, ndërsa Putini përgjigjet se “Kievi nuk tregon dëshirë serioze për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht”. Për ndërmjetësuesin ukrainas “ka vend për kompromis” dhe negociatat vazhdojnë. Ndërkohë, Polonia po mban një qëndrim të fortë në mbrojtje të Ukrainës, duke kërkuar një “mision paqeje” të NATO-s për të ofruar ndihmë, “të mbrojtur nga forcat e armatosura”.
Shpërthime u dëgjuan në kryeqytet herët këtë mëngjes, sipas raportimeve të mediave sociale. Shërbimet e urgjencës së qytetit thonë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6:00 të mëngjesit, ku për pasojë u dëmtua edhe një ndërtesë fqinje nëntëkatëshe, thonë autoritetet.
Sipas zyrtarëve dy persona janë lënduar dhe 35 janë evakuuar nga ndërtesa. Zjarri u shua në orën 7:45 të mëngjesit dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar.
Videot e qarkulluara më herët në mediat sociale treguan shtëllunga të mëdha tymi që dilnin në ajër nga ndërtesat.
Banorët në të gjithë qytetin mbeten në bunkerë, strehimore nëntokësore dhe shtëpitë e tyre mes një shtetrrethimi dyditor.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se është një moment “i vështirë dhe i rrezikshëm” për kryeqytetin.
Ndërkohë më herët këtë mëngjes, në mediat sociale ka pasur edhe raporte të pakonfirmuara për shpërthime në qytetet jugore të Odesa dhe Zaporizhzhia.
Oliver Carroll, një korrespondent për The Economist, tha se ai dëgjoi zhurma të forta në Odessa, të cilat mund të ishin sistemet e mbrojtjes ajrore që rrëzonin predha, raporton BBC.
Dhe në Zaporizhzhia, sekretari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev shkroi në Telegram se një shpërthim goditi një stacion hekurudhor, por nuk ka ende detaje nëse ka viktima në këto zona.