IMG_9429

Donald Trump Jr është akuzuar se ka vrarë në mënyrë të paligjshme një specie të rrallë rosash gjatë një udhëtimi gjuetie në Itali.

Djali i madh i Donald Trump, presidenti i SHBA-së, thuhet se ka qëlluar me një rosë të kuqërremtë, e cila mbrohet nga ligjet italiane dhe ato të BE-së.

Sipas ligjit kombëtar të gjuetisë së Italisë, i cili u miratua në vitin 1992, kushdo që shpallet fajtor për vrasjen e një specie të mbrojtur, duhet të përballet me një gjobë prej 1,500 euro.

Deputetët italianë kanë bërë thirrje që Gilberto Pichetto Fratin, ministri i Mjedisit, të hetojë ngjarjen ndërsa një politikan rajonal ka paraqitur një kallëzim penal.

Trump Jr ishte në një udhëtim gjuetie në lagunat në jug të Venecias ndërsa ishte me pushime në dhjetor.

Videoja është publikuar nga faqja The Global Hunt for Adventure, një faqe interneti gjuetie.

Duke qëndruar në një pozicion gjuajtjeje pranë një lagune me mjegull dhe i veshur me një xhaketë kamuflazhi, ai thotë në video se ai dhe shokët e tij gjuetarë qëlluan shpendin e rrallë.

Duke treguar një rosë të vrarë, ai thotë: “Pra, kjo është një rosë mjaft e pazakontë për atë zonë… as nuk e di se çfarë është në anglisht. Por ishte një gjuajtje e pabesueshme”.

Andrea Zanoni, një politikan rajonal në Veneto dhe një anëtar i partisë Europa Verde (Evropa e Gjelbër), tha të martën se ai kishte paraqitur një kallëzim penal në policinë e Karabinierëve të Italisë.

“Në një moment, Trump shfaqet teksa përshkruan rosat që u qëlluan, duke përfshirë një rosë të kuqërremtë, e cila është shumë e rrallë në Evropë”, tha Zanoni. Lloji rritet në Azi, por gjendet në disa xhepa të izoluar të Evropës dhe Afrikës së Veriut.

Zanoni tha se gjuetia duket se ka ndodhur në Valle Pirimpiè, pjesë e lagunave dhe kënetave që shtrihen në jug nga Venecia.

Ai tha se ishte “një zonë që mbrohet nga rregulloret evropiane dhe është pjesë e një zone të Rrjetit Natura 2000 të BE-së, si një zonë e veçantë ruajtjeje”. Zanoni tha se sipas ligjit italian, vetëm shtetasit ose banorët italianë lejoheshin të gjuanin.

Por Pichetto Fratin, ministri i Mjedisit në qeverinë e Giorgia Melonit, tha se ai ishte në pritje të një raporti zyrtar për këtë çështje.

“Kam lexuar lajmet, por nuk di asgjë për të, as kur ka ndodhur dhe as si ka ndodhur. Unë jam duke pritur për një raport në mënyrë që të kem të gjithë informacionin në dispozicion”, tha ai duke shtuar se ishte “krenar” që Trump Jr kishte zgjedhur Italinë për gjueti./gazetajonë