Tirana u trondit dje nga flakët gjigande që përfshinë një pallat në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve për më shumë se katër orë.

Zjarri nisi pasdite dhe arriti që të neutralizohej plotësisht afër mbrëmjes. Fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz. Por dëmet janë shumë të mëdha.

Të paktën katër apartamente u dogjën plotësisht. Shumë të tjerë janë dëmtuar. Thuajse nuk ka asnjë apartament që të mos jetë dëmtuar si pasojë e flakëve që u përhapën me shpejtësi nga fasada.

Banorët e këtij pallati mbrëmjen e djeshme e kaluan të të afërmit. Por disa qëndruan poshtë godinës që u dogj duke mos u larguar. “Do të fle këtu në stol. Familjen e dërgova tek të afërmit” tha njëri prej personave që iu dogj apartamenti.

Për momentin nuk dihet shkaku i zjarrit. Në polici u shoqërua administratori i pallatit dhe mjeku që ka në pronësi katin e fundit nga ky dyshohet se nisi zjarri.

Pikëpyetjet dhe misteri është i madh, si nisi dhe u përhap dhe mbi të gjitha kushtet e sigurisë. Pa harruar faktin që zjarrfikësja nuk kishte nga të futej, si pasojë e ndërtimeve pa kriter. Babëzi.