I ftuar në “Opinion” një natë më parë, mes të tjerash, Ilir Meta ka konfirmuar, ndofta pa dashje, sentencën e shpalljes së Sali Berishës të shpallur nga SHBA-të si shantazhues i drejtësisë dhe minues i drejtësisë.

Meta ka treguar një episod se si e kishte thirrur Sali Berisha në zyrë dhe pasi kishte lëshuar epitetet e duhura ndaj Ina Ramës, i kishte thënë atij të bënte kujdes se ajo kishte marrë porosi për ta futur në burg, sepse kishte çuar edhe audio-përgjimet për t’i verifikuar në Angli.

Sipas Metës, ai e kishte qetësuar “Doktorin” se nga burgu do t’i jepte më shumë vota nga jashtë tij dhe gjithçka bëhej për të inatosur dhe shqetësuar Berishën.

“Më merr Berisha në telefon kur isha në Durrës. Nga telefonata e kuptova që kishte një shqetësim. Berisha më tregon se ish-kryeprokurorja Ina Rama, kishte marr urdhër për të më futur në burg. Ajo kishte dorëzuar në Angli materiale, video dhe audio“, tha Meta.

Ndërkohë që kreu i PL tregoi se i ishte përgjigjur ish-kryeministrit që të mos të shqetësohej, dhe i kishte dhënë një premtim: “Doktor unë të premtoj që edhe nga burgu do të jap më shumë vota për zgjedhjet që ta heqim Edi Ramën nga kryetar bashkie i Tiranës”.

Ky fragment i marrë në kontekstin e përgjithshëm të kohës, tregon se si është sjell kryeministri Berisha ndaj akuzave për korrupsion ndaj bashkëpunëtorit të tij të afërt qeverisës, ashtu sikurse duket një sentencë e qartë e arsyes së shpalljes së tij “Non grata” si shantazhues i drejtësisë.

Meta duket se e tregoi këtë detaj për të rrëfyer besnikërinë e Berishës ndaj tij, por, në fakt, një bisedë e tillë e zhvilluar në zyrat e shtetit nga dy zyrtarë të lartë shtetëror nuk asgjë asgjë më pak veçse shpërdorim i besimit të publikut me funksionin shtetëror.