Sa herë shkoj në varreza, ku prehen njerëz të mi të dashur, përveçse lotoj, ndiej mall e dhimbje që nuk i kam më pranë, shumë mendime e ndjenja më përshkojnë mendjen e zemrën.

Në qetësi pastroj varrin me dashuri, vendos lule apo një cigare, qëndroj pranë tyre dhe me pëshpërima iu them atë që do dëshiroja të dinin. Rri edhe pa folur minuta të tëra dhe më duket sikur komunikoj me energji me ta…

Pasi ledhatoj fotot e të dashurve të mi të ndjerë largohem, dhe duke ecur shoh dhjetëra varre ku prehen njerëz të tjerë, të njohur e të panjohur. Çdo foto e tyre më fut në mendime.

Dikur kanë jetuar, kanë pasur një histori, dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Dikush ka jetuar gjatë, dikush tjetër për fat të keq ka ikur i ri pa e shijuar jetën në këtë botë, por me shpresën e madhe që shpirti jeton në botën tjetër… Dikush prehet në një varr për të cilin duket se kujdesen, te tjerë e kane varrin “të harruar”. E kjo të jep një dhimbje tjetër.

 

 

Dal prej varrezës dhe mendjen e shpirtin ma kaplon një lloj meditimi, me ngërthen ai mendimi se të gjithë do të shkojmë një ditë aty dhe ajo që ka rëndësi është ta jetojmë jetën paqësisht, me dashuri e dhimbsuri, sepse asgjë, askush, nuk do të marrë me vete. As fama as paratë s’kanë rëndësi në varreza!

Nuk po them ndonjë gjë të pathënë; jam e bindur se shumë bëjnë e mendojnë si unë, por këtë reflektim e kisha të nevojshëm teksa pashë dhe u shokova nga një video e turpshme e dy vajzave, e regjistruar ne varreza.