Dosja e policisë me hetimet paraprake për shpërthimin në Lushnje, ku mbetën të vrarë babë e bir dhe u plagosën shtatë persona të tjerë tregon një seri shkeljesh ligjore të të gjitha strukturave shtetërore, vendore e qendrore.
Dosja i është referuar prokurorisë së Fierit me tre akuza, atë të ndërtimit të paligjshëm, shkeljes së rregullave të sigurisë në punë dhe shkatërrim prone nga pakujdesia. Në dosje thuhet se magazina është në pronësi të deputetit socialist, Bujar Çela, që mbeti i plagosur nga shpërthimi.
Po aty thuhet se në të njëjtin ambient ushtrojnë aktivitetin edhe dy persona të tjerë, që gjithashtu u plagosën.
Në lidhje me shkeljet në lejen e ndërtimit, burime të Voxneës.al pohojnë se punimet po kryheshin nën hundët e të gjitha institucioneve shtetërore pa asnjë dokumentacion. Policia citon në dosje një leje të marrë, por burimet thonë se ajo është një përpjekje për të mbuluar mungesën e lejes.
‘Ajo që thotë policia në dosje është vetëm aplikimi për leje ndërtimi. Leja e ndërtimit për këtë magazinë nuk ka dalë, nuk është dhënë nga asnjë institucion, as vendor dhe as qendror’, thonë burimet.
Megjithatë, në objekt punimet po kryeheshin dhe nëse nuk do të ndodhte shpërthimi tragjik që mori jetën e dy personave, deputeti Bujar Çela do ta kishte përmbyllur investimin edhe pa leje, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë përfundojnë në burg edhe për riparime të çative të shtëpisë së tyre.
Mungesa e lejes konfirmohet edhe nga dëshmitë e dhëna nga punonjës të IMT-së së Bashkisë së Lushnjes, juristi i kësaj bashkie dhe përfaqësuesve të tjerë të pushtetit vendor e qendror. Përfaqësuesit e IMT-së thonë se nuk ishin në dijeni të një leje ndërtimi në zonën e shpërthimit dhe as që në atë zonë po ndërtohej.
Juristi i Bashkisë nga ana tjetër fajësoi sistemin elektronik të aplikimit për leje ndërtimi. ‘Në Bashkinë tonë sistemi online i lejeve nuk punon prej disa kohësh’, thotë ai në dëshminë e dhënë para grupit hetimor të Policisë së Shtetit.
Dosja zbulon se prona me sipërfaqe 10 mijë metër katrorë është në pronësi të deputetit, Bujar Çela dhe se aty ushtrojnë aktivitetin edhe dy persona të tjerë, më konkretisht Shaqir Kasapi dhe Saimir Korreshi, ky i fundit i plagosur nga shpërthimi.
Burimet të Voxneës pohojnë se asnjëri prej tyre nuk kishte të lidhur një kontratë të rregullt qiramarrjeje me deputetin Bujar Çela, si qiradhënësi i pronës. Burimet thonë se që të dy këta shtetas ushtrojnë prej kohësh aktivitetin e tyre në këto magazina, duke ngritur dyshimet për evazion fiskal nga ana e deputetit Çela.
Sipas ligjit për deklarimin dhe konfliktin e interesave deputeti është i detyruar që të deklarojë çdo burim të ardhurash. Fshehja e këtyre detyrimeve, si në rastin në fjalë mund të çojë në humbje të mandatit, deri edhe në ndjekje penale.