Dosja e SPAK , si i dha Sokol Meqemeja 140 mijë euro rryshfet Arben Ahmetajt për inceneratorin e Fierit
Në dosjen 320 faqe të SPAK për Arben Ahmetajn, mes emrash politikanësh e biznesmenësh të ndryshëm, evidentohet veçmas nga Prokuroria e Posaçme një episod me protagonist biznesmenin Sokol Meqemeja, pronari i kompanisë “Frigo Food”, një prej bizneseve më të mëdha të mishit në vend.
Sokol Meqemeja akuzohet nga SPAK se i ka dhënë Arben Ahmetajt, përmes skemave të shitjeve fiktive të apartamenteve, 140 mijë euro. Prokuroria e posaçme evidenton se kjo shumë ka shkuar për ish zv. Kryeministrin si shpërblim për inceneratorin e Fierit, të cilin e kishte marrë përmes kompanisë Building Counstriction & Green Energy, ku ishte një prejk krijuesve të saj.
“Sokol Meqemeja ka njohje profesionale me Zoton dhe Mërtirin. Ai ka një kompani me emër Building Counstriction & Green Energy që është kompania që ka paraqitur propozimin për marrjen e inceneratorit të Fierit dhe ka marrë edhe bonusin prej 10 pikësh. Kjo kompania nuk ka ushtruar asnjë aktivitet tregtar”- thuhet në dosjen e SPAK.
Po si ia kaloi Meqemeja 140 mijë eurot Arben Ahmetajt? Skema është identike si në rastet e treguara edhe më parë, përmes personave të tretë.
“Sokol Meqemeja, i shoqërisë “Frigo Food Shpk” datë 05.05.2018, është miratuar dhënia e huasë për shtetasen Sonila Goxha në vlerën 140.000 Euro. Shtetësja Sonila Goxhaj rezulton të ketë dy fëmijë nga marrëdhënia që ka me shtetasin Sokol Meqemeja”- thuhet në dosjen e SPAK.
Pra, Sonila Goxhaj ka marrë gjoja një hua 140 mijë euro nga ‘Frigo Food’ kompania e Sokol Meqemeja dhe ka lidhur kontratën me ish gruan e Arben Ahmetajt Albina Mançka për të blerë apartamentin me sipërfaqe 178 m2 dhe një garazh 21 m2. Apartament i cili më parë i ishte shitur një tjetër personi me emrin, Besmir Prifti.
Sonila Goxhaj në dëshminë ka thënë se e ka blerë apartamentin për motrën e saj por që në sipas SPAK motra nuk e kishte parë asnjëherë apartamentin dhe nuk e ka përdorur asnjë herë.
“Por këtë hua ia ka borxh kësaj kompanisë shpk, e cila është në pronësinë e babait të fëmijëve te saj, i cili quhet Sokol Meqemeja. Pra huaja është miratuar nga babai i fëmijëve të saj, shtetasi Sokol Meqemeja….Aktualisht apartamenti është i ndërtuar në fazën përfundimtare por është në gjendje të rënduar për shkak se nuk është mirëmbajtur pasi Sonila nuk e disponon plotësisht”- thuhet nw dosje.
E çuditshme sipas Prokurorisë së Posaçme është se Goxhaj nuk ka paguar prej 5 vitesh asnjë këst për ta kthyer huanë prej 140 mijë eurosh por pasi është pyetur nga SPAK ka shkuar dhe ka paguar 4 milion lekë (të reja).
“Pasi shtetësja Sonila Goxhaj është thirrur për t’u pyetur në prokurori, konstatohet se në ditarin e bankës të shoqërisë “Frigo Food”, për vitin 2023, pasqyrohet një pagesë e bërë nga shtetasja Sonila Goxha për llogari të FrigoFood, periudha 01.04.2023-09.05.2023, ku rezulton nje transaksion bankar në vlerën 4,000,000 lekë, datë 08.05.2023, si kthim i huas”- thuhet sipas dosjes.
Duhet theksuar edhe një herë se sipas SPAK Ky apartament ishte blerë më parë me shumën 130 mijë euro edhe nga Besmir Prifti, kushëri i Mirel Mërtirit. Ashtu si ky i fundit edhe familjarët e Sonila Goxhajt sipas prokurorisë nuk e kishin parë ndonjëherë apartamentin. Vetë motra e Sonilës thotë se nuk e di sa është blerë dhe e ka parë vetëm një herë në video.
Si konkluzion SPAK thotë se për një apartament të shitur 2 herë Arben Ahmetaj mori 270 mijë euro, 130 mijë nga Mirel Mërtiri dhe 140 nga Sokol Meqemeja si shpërblim për inceneratorin.
“Gjithsej shuma prej 270 000 euro e paguar nga shtetasi Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj, ekziston dyshimi se është përfitim i paligjshëm i marrë nga shtetasi Arben Ahmetaj, në formën e mitës, në kuadrin e ushtrimit të funksionit të tij si funksionar i lartë, Ministër i MZHETS dhe Ministër i Financave gjatë kohës së dhënies së procedurave të koncensionit të mësipërm. Këto para derivojnë pikërisht nga shoqëria Integrated Technology Services sh.p.k. dhe nga shtetasi Sokol Meqemeja pjesë e shoqërisë Building Construction & Green Energy sh.p.k”- thuhet nw dosjen e SPAK.
Duke përmbledhur të gjithë skemën e shitjeve fiktive të apartamenteve SPAK del në përfundimin se vetëm përmes kësaj skeme në duart e Arben Ahmetajt shkuan mbi 440 mijë euro./shqiptarja.com