Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e së martës në Prizren, ku në lokalin e natës “Kobra City” ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë një person ndërsa një tjetër është plagosur. I dyshuari kryesor për vrasjen është Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra” që sot doli para gjyqit.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”. Sipas dosjes së prokurorisë, pretendohet se rasti ka ndodhur për arsye të një mosmarrëveshje të të dëmtuarëve me punëtorët e lokalit, në lidhje me pagesën e faturës në lokalin e Hoxhajt, rreth 400 Euro.
Në bazë të këtij kallëzimi penal, prokuroria në Prizren ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij. Në lidhje me këtë rast është duke u zhvilluar seanca për caktim të masës së paraburgimit. Përveç Dibran Hoxhajt, në këtë rast dyshohet të jenë të përshirë edhe Kujtim Gashi, Jesmir Badali, Burim Mazreku, Enver Amrullahi, Arben Vezaj për vepra të tjera si rrahja, manipulimi me prova e armëmbajtje pa leje.
Sipas dosjes së prokurorisë, Dibran Hoxhaj ka shtënë në drejtim të tre kuksianëve kur kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City. Në dosje thuhet se Dibran Hoxhaj dyshohet se në natën kritike kishte asgjësuar provat, duke fshirë kamerat e sigurisë nga lokali i tij, Kobra City, me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi incizimeve që do të shërbenin si provë në gjykim. Nga ky konflikt mbeti i vrarë Visart Cengu nga Kukësi dhe u plagos një tjetër.