Dyshja e përhershme e tenderëve në shëndetësi, Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj, janë përfituar prej vitesh nga fondet publike të drejtuara nga disa drejtorë të institucioneve të shëndetësisë.
Ministrat dhe drejtorët ikin e vijnë, por çifti oligark që ka thithur fondet publike të shqiptarëve si serum, duket se nuk guxon t’i hetojë askush, me sa duket për shkak të lidhjeve të forta “lart.”
Gazeta jonë ka denoncuar vazhdimisht shkeljet abuzive në procedurat publike të tenderëve në shëndetësi, dhe konkretisht përfitimet që çifti Jaho ka marrë në mënyrë të parregullt përmes kompanisë së tyre, OES Distrimed.
Këtë herë, drejtoresha e Spitalit të Traumës, Edlira Bode, u ka dhënë një tender me vlerë mbi 2 miliardë lekë me TVSH për blerjen e materialeve mjekësore.
Çuditërisht, kompania e tyre është shpallur fituese duke konkurruar vetëm me veten.
Tenderi është shënuar me Flamur të Kuq për mungesë konkurrence.
Mungesa e konkurrencës është kthyer në normë në tenderët e shëndetësisë, ku një grup i vogël njerëzish thithin gjithçka nga fondet publike, duke rritur koston për buxhetin e shtetit. Ndërsa mungesa e konkurrencës ul edhe cilësinë e shërbimeve dhe materialeve për shqiptarët.
KLSH: Të shkarkohet Edlira Bode
Edlira Bode, një ish-deputete socialiste, e cila mori drejtimin e spitalit të Traumës në vitin 2021, konsiderohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si përgjegjëse për shkaktimin e një dëmi të konsiderueshëm financiar për institucionin.
Në konkluzion, KLSH rekomandon shkarkimin e menjëhershëm të saj nga detyra.
Disa nga shkeljet që i atribuohen zonjës Bode janë ato që lidhen me bashkëveprimin me kompaninë koncesionare të Sterilizimit, “Sani Service”.
Sipas raportit të auditit të publikuar së fundmi, spitali i Traumës ka kryer pagesa për energji elektrike dhe ujë për llogari të koncensionarit në shumën 17 milionë lekë të reja.
Po ashtu, spitali nuk i ka marrë qira, koncesionarit, për përdorimin e ambienteve të tij duke i shkaktuar humbje që llogariten në shumën 5.5 milionë lekë të reja.
Kontrata koncesionare për Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale parashikon që kompania private duhet të përballojë me të ardhurat e saj faturat e energjisë elektrike, të ujit të pijshëm dhe qiranë e ambienteve. Por, siç rezulton nga kontrolli, këto pagesa janë kryer nga spitali në kundërshtim me kontratën.
Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka renditur të paktën 10 shkelje të ndryshme në aktivitetin e drejtoreshës së spitalit të Traumës, Edlira Bodes, për të cilat audituesit sugjerojnë largimin e menjëhershëm të saj nga detyra.
Kontrata koncesionare e Sterilizimit, e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë së kontrolluar në shumicë nga emigrant-murator, Ilir Rrapaj, është objekt i një hetimi që po zhvillohet nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK.
Deri më tani, në pranga kanë rënë ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Rrapaj si edhe me masa më të lehta janë gjashtë zyrtarë të institucionit.
Ndërkohë, gjyqtari që shqyrtoi masat e sigurisë, i sugjeroi prokurorëve të posaçëm që të thellojnë hetimet mbi rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. / GazetaJonë