Ermal Dredha e “dredh” me Vëllezërit Hysa , të arrestuarve për mashtrim i jepet tenderi 165 milion lekë me FLAMUR TË KUQ

Ermal Dredha u emërua në krye të bashkisë së Vlorës si një emër nga diplomacia dhe i pakorruptueshëm, por siç thotë dhe populli “ky stan këtë bulmet ka”, kështu që dhe Ermali nuk ka se si të sillet ndryshe.

Gazeta Jonë sjell detaje tronditëse mbi tenderin me objekt ‘Rikonstruksion i Palestrës (së qytetit) Multisportive të Ekipit Flamurtari’. Gara është hapur që në fund të tetorit 2023, ndërsa tenderi u zhvilluar në nëntor 2023, por fituesi është shpallur më datë 2 shkurt të vitit 2024, ndërsa duket se Ermal Dredha shfrytëzon ndjenjat e vlonjatëve ndaj skuadrës së tyre të zemrës për të çuar paratë të klientët e tij.

Nga marrja e ofertave deri në shpalljen e fituesit kanë kaluar katër muaj, por duket se kaq ka mjaftuar për të përhershmit “VËLLEZËRIT HYSA” që ta “bindin” Ermal Dredhën.

Në hapjen e garës paraqiten ofertat e tyre 8 kompani, që duhej shqyrtoheshin dhe të përzgjidheshin në fazën finale dy ose më shumë propozime. Por, Dredha i ka rënë shkurt, që në fazën e parë ka përjashtuar nga gara 7 kompani dhe la në fund vetëm zarfin e paraqitur nga bashkimi i operatorëve “LUEM TRADE & CONSTRUCTION” shpk dhe “VELLEZERIT HYSA” shpk, që në fakt ishte oferta më e shtrenjtë, me vlerë 165 milionë lekë.

Ermal Dredha e “dredh” me Vëllezërit Hysa, të arrestuarve për mashtrim i jepet tenderi 165 milion lekë me FLAMUR TË KUQ
Ermal Dredha e “dredh” me Vëllezërit Hysa, të arrestuarve për mashtrim i jepet tenderi 165 milion lekë me FLAMUR TË KUQ

Kështu, duke eliminuar konkurrencën, Ermal Dredha lidhi kontratën me “LUEM TRADE & CONSTRUCTION” – “VELLEZERIT HYSA” shpk. Sigurisht këto skema, nisur edhe nga procedurat normale që duhet të zhvillohet një tender, të bëjnë të dyshosh se fituesi ka qenë i paracaktuar, nisur edhe nga fakti që fitues janë “Vëllezërit Hysa” të njohur si përfitues në tenderë pa garë në shumë bashki.

Madje “Vëllezërit Hysa” janë arrestuar për mashtrim disa vite më parë.

Në vitin 2018, prokuroria urdhëroi arrestimin e dy vëllezërve Agron dhe Kujtim Hysa, pronarët e firmës “Vëllezërit Hysa”. Ata akuzoheshin se nuk kishin ndërtuar rrugën e Gjinarit, në segmentin Tiranë – Elbasan. Ata u arrestuan sëbashku me dy ish-drejtorë të ARRSH-së, Andi Toma dhe Dashamir Xhika.

Sipas akuzës së  prokurorisë, dy vëllezërit Agron dhe Kujtim Hysa që administrojnë kompaninë “Vllezërit Hysa” kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” të kryer në bashkëpunim.  Ata janë fitues të procedurës së prokurimit publik të zhvilluar nga DPRR-ja në datën 2 dhjetor 2008, për objektin “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”.

Duke parë këtë biografi të biznesmenëve fitues të tenderit, kuptohet qartë pse Dredha e ka “dredhur” mirë e mirë edhe në këtë tender. /GazetaJonë