Policia e Kavajës ka arrestuar 33-vjeçaren Marsida Qatja. Ajo ishte shpallur në kërkim dhe është dënuar me dy vite burg për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

Në vitin 2019, ajo kishte përshtatur banesën e saj për përdorim droge, një ambient, në të cilën, për shkak të konsumimit të lëndëve narkotike, u ekzekutua Dritan Haxhollit nga Bledar Toçi, ish-shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit.

Fillimisht u raportua se ishte një krim pasioni, ku Marsida Qatja u dyshua se kishte lidhje intime të dyfishtë si me autorin dhe me viktimën, teksa bashkëshortin e kishte në burg në Gjermani.

Por, Prokuroria ka zbuluar se viktima dhe autori kanë pasur konflikte të mëparshme, që nuk lidheshin me 33-vjeçaren. Në telefonin e të dyve Prokuroria ka gjetur mesazhe, ku Dritan Haxholli e kërcënonte Toçin, duke i kërkuar para.

Haxholli ishte një konsumator lëndësh narkotike dhe Prokuroria ka dyshime se mes të dyve mund të ketë pasur konflikte edhe për drogë. Në telefonin e Haxhollit Prokuroria ka gjetur komunikime dhe kërcënime edhe me persona të tjerë në Kavajë dhe biznesmenë, të cilëve u kërkonte para.