Nga Durrësi ku zhvilloi takimin e radhës falenderues pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit, kryeministri Edi Rama u shpreh se është koha që Kadastrës t’i bëhet një transformim përfundimtar.

“Edhe pse janë bërë hapa, kjo nuk është më e mjaftueshme”, vuri në dukje Rama.

Sipas tij, në bankën e pronave të shqiptarëve nuk mund të punojnë njerëz me diplomë veterineri.

“Tek Kadastra ne duhet të bëjmë një transformim përfundimtar. Është bërë punë, janë bërë hapa, por nuk është më e pranueshme. Kadastra është bankë. Në bankën e shtetit shqiptar nuk shkohet për të punuar aty ku është drejtoria, po themi e kredive, me diplomë veterineri. Nuk ndodh kjo. Është banka e pronave të shqiptarëve. Ne duhet ta kthejmë në bankë të pronave. Nuk është as e deputetëve kadastra, nuk është as e këshilltarëve, nuk është as e drejtorëve, e askujt tjetër. Është banka e pronave. Gjithë ajo punë voluminoze që është bërë me hartat sepse ka qenë edhe më tmerr seç ishte OSHEE ne nuk mund ta lemë të pambaruar apo  të vazhdojë edhe nja 10 vjet të tjera sa të mbarojnë gjithë kushërinjtë, e sa të mbarojnë krushqit, sa të mbarojnë miqtë që duhen futur atje. Solla vetëm një shembull se nuk jemi këtu për këtë për të thënë se kemi shumë gjëra akoma për të bërë dhe do i bëjmë patjetër. Jua kam thënë gjithmonë kur jemi takuar pa kamera e them gjithmonë, këtë vend o e bën PS-ja, o nuk e bën askush tjetër”.

Më pas, Rama ironizoi edhe opozitën.

“Ata tjerët edhe po të duan nuk kanë mundësi ta bëjnë. Është e pamundur. Nuk dinë. Nuk kanë haber fare. Zero. Është vetëm kjo parti që mund ta bëjë. Dhe është vetëm në këtë periudhë kohe që mund të bëjmë kthesën përfundimtare. Një kthesë e madhe ka filluar, duhet ta çojmë deri në fund”, tha Rama.