Dumani në Angli për të gjurmuar edhe pasuritë e një politikani? Pandora Papers, banka dhe një personazh X
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ndodhet në Londër për të intensifikuar bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese britanike, ndërkohë që në thelb të vizitës është lufta kundër pastrimit të parave.
Kreu i SPAK pati një takim kokë më kokë me Graeme Biggar, Drejtor i Përgjithshëm i NCA-së, Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit, e njohur si FBI-ja britanike.
Mësohet se Dumani është në Angli për të gjurmuar edhe paratë e politikanëve dhe personazheve të njohur të krimit të organizuar në Shqipëri, të cilët siç mëson Gazeta Jonë në bashkëpunim me personazhe të caktuar edhe të Pandora Papers si edhe banka të nivelit të dytë në vend e kanë kthyer Britaninë e Madhe në një vend ku kanë parkuar paratë e vjedhura në Shqipëri. Dyshohet siç mëson Gazeta Jonë se janë disa kompani dhe personazhe të hapura në Britaninë e Madhe dhe nëpërmjet bankave të caktuara në Shqipëri bëjnë mbulimin e parave të politikanëve të njohur për lidhjet financiare e Britaninë e Madhe.
Ky është takimi i dytë mes tyre, pas nënshkrimit të memorandumit të përbashkët të bashkëpunimit në Tiranë, në shkurt 2024.
Bazuar në këtë memorandum, janë ngritur skuadra të përbashkëta SPAK-NCA, ku në fokus është krimi i organizuar shqiptar në Britaninë e Madhe, e në veçanti hetimi i parave të investuara në Shqipëri me prejardhje kriminale.
Në Londër, Altin Dumani është takuar edhe me Stuart Skeates, Drejtor i Përgjithshëm i Operacioneve në Ministrinë e Brendshme Home Office, i cili udhëhoqi betejën në ndalimin e emigracionit ilegal të shqiptarëve me gomone drejt Anglisë.
Takime të tjera, kreu i SPAK pati edhe në Policinë Metropolitane, Ministrinë e Brendshme Home Office, Prokurorinë e Përgjithshme Home Office, City of London Police, e cila udhëheq hetimet e krimeve financiare dhe ekonomike në të gjithë Britaninë e Madhe. Po ashtu, në The Royal Institute for Security and Defence Studies (RUSI) (Institutin Mbretëror për Studime të Sigurisë), në një tryezë të rrumbullakët me ekspertë dhe akademikë, përfshi zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Foreign Office, ku është ndarë eksperienca e SPAK, sfidat dhe praktikat më të mira në luftë me korrupsionin e krimin e organizuar.
Për rëndësinë që merr bashkëpunimi i SPAK me autoritetet ligjzbatuese në këtë tryezë të rrumbullakët Altin Dumani ka deklaruar:
“SPAK është i përkushtuar për të forcuar angazhimin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në bashkëpunimin gjyqësor, ligjzbatues dhe e sheh partneritetin me Mbretërinë e Bashkuar si jetik në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe korrupsionit. Për shkak të kompleksitetit dhe natyrës së tyre tranzicionale, për SPAK është mëse e qartë se as një vend nuk mund të trajtojë vetëm krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore, krimin financiar ose krimin kibernetik. Ne vlerësojmë mundësinë e sotme për t’u angazhuar me aktorë të ndryshëm dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë shkëmbimin e njohurive midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, në mënyrë që të mund të trajtojmë së bashku disa nga këto çështje përmes bashkëpunimit të ndërsjelltë”.