Gazetarët Artan Hoxha dhe Glidona Daci kanë deklaruar mbrëmjen e sotme në “Opinion” se ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici ishte paralajmëruar më herët se nuk do të qëndronte gjatë në postin e tij.

Ata thonë se në mbledhjen e 9 qershorit të Këshillit Bashkiak të Kukësit, Gjici ka debatuar me një anëtar të Këshillit. Ky i fundit jo nga radhët e PS-së, e kishte paralajmëruar Gjicin se ditët e tij në bashki ishin të numëruara.

Glidona Daci: Po ka pasur dijeni sepse një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhje i ka thënë “Ti do qëndrosh edhe pak ditë kryetar bashkie se do shikosh çfarë do të të bëj!” Dhe kjo gjë e ka vënë Safet Gjicin në alert dhe ka filluar të dyshojë. Ka lajmëruar dhe zyrtarë të tjerë.

Artan Hoxha: Janë konfliktuar me këtë anëtar të Këshillit, ka pasur debate të mëhershme, është i një partie tjetër. Shiko, kur Gjici ka shkuar në Kukës ky personi ka qenë i Partisë Socialiste dhe në momentin që Gjici e ka marrë Kukësin në administrim ai personi ka ikur. Ka patur debat dhe gjatë fushatës elektorale, por debati në mbledhjen e 9 Qershorit ka pasur debat se ky anëtari i Këshillit Bashkiak ka fituar mes 4 anëtarëve të këshillit për të qenë në Këshillin e Qarkut dhe zoti Gjici nuk e ka pranuar. Në gjaknxehtësi e sipër, kanë bërë debat verbal. Në Kukës flitej dhe para zgjedhjeve që kishte diçka.