Sherret për partnerët ndodhin edhe mes vajzave. Gazetarja Anila Hoxha e ftuar në “Wake Up”, ka treguar se përleshjet mes vajzave në Shqipëri është bërë një trend dhe një nga arsyet kryesore janë partnerët.

Një arsye tjetër që ajo thekson janë edhe rrjetet sociale të cilat po i fusin gjithnjë e më shumë të rinjtë në konflikte.

Blendi Salaj: Po më thoshe që është bërë trend kur vajzat rrihen.

Anila Hoxha: Po vajzat përleshen, konfliktohen me njëra-tjetrën. Kur ato përfundojnë në komisariat dhe merren në pyetje, motivet janë motive pa motive. Jemi mësuar me fjalinë motive të dobëta, por në fakt është një agresion i shtuar. Pra fillimisht një arsye, më e shpeshta është partneri. Pse komentove në rrjetet sociale të partnerit?

Blendi Salaj: Pse i bëre ‘like’ të dashurit tim.

Anila Hoxha: Po, ka patur një rast i tillë dhe ka qenë në Tiranë në rrugën “Myslym Shyri”, adoleshente gjimnaziste janë përleshur, shoqet kanë thirrur shoqet dhe ka përfunduar në një përleshje masive pikërisht për shkak të një ‘like’. Përpos partnerit ka dhe shkaqe të tjera, sikurse është keqpërdorimi i rrjeteve sociale, kjo po vërehet tek të dyja gjinitë.