bashar

Rënia e diktaturës brutale të Bashar al-Assad-it dukej një perspektivë e largët dy javë më parë. Por rebelët e Sirisë përfunduan një marshim të shpejtë dhe mahnitës drejt pushtetit të dielën, duke filluar një epokë të re të pasigurt për vendin. Duke u nisur drejt një epoke të re sirianët përballen me detyrën e frikshme të përpjekjes për të ofruar stabilitet në një vend që do të ketë nevojë për miliarda dollarë ndihmë.

Ndryshimi në pushtet është i mbuluar nga pasiguria. Është e paqartë se si do të dukej një sistem i ri qeverisës në Siri, si do të funksionojë duke pasur parasysh grupet dhe interesat e ndryshme të përfshira, dhe nëse riorganizimi i pushtetit do të çojë vetëm në paqëndrueshmëri të mëtejshme.

Zhvillimet:

Udhëheqësi rebel i Sirisë, Abu Mohammed al-Jolani ka premtuar se do të publikojë një listë të ish zyrtarëve të lartë të përfshirë në torturimin e popullit sirian dhe se do t’i vendosë para përgjegjësisë.

“Ne do të publikojmë listën e parë që do të përfshijë emrat e zyrtarëve të rangut më të lartë të përfshirë në torturat kundër popullit sirian. Ne do të ofrojmë shpërblime për këdo që jep informacion rreth oficerëve të lartë të ushtrisë dhe sigurimit të përfshirë në krime lufte”, tha lideri rebel.

Udhëheqësi i grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) filloi diskutimet me qeverinë e rrëzuar për transferimin e pushtetit të hënën, një ditë pasi aleanca e tij opozitare rrëzoi në mënyrë dramatike presidentin Bashar al-Assad pas dekadash sundimi brutal. Kryeministri Mohammed al-Jalali deklaroi se kishte rënë dakord t’i dorëzonte pushtetin rebelëve. Luftëtarët rebelë thanë se kishin gjetur rreth 40 trupa që mbanin shenja torture brenda një morgu në një spital pranë Damaskut të hënën, të futur në çanta trupash me numra dhe emra të shënuar mbi to.

Nërkohë observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka bërë me dije se ushtria izraelite “ka shkatërruar objektet kryesore ushtarake në Siri” duke kryer rreth 250 sulme në territorin sirian që nga pushtimi i Damaskut nga rebelët dhe rënia e presidentit Bashar al-Assad. Sipas kësaj organizate, e cila mbështetet në një rrjet të gjerë burimesh në të gjithë Sirinë, Izraeli ka bombarduar aeroporte, radarë, depo armësh dhe municionesh, qendra kërkimore ushtarake dhe ka dëmtuar anijet e marinës siriane duke sulmuar njësitë e mbrojtjes ajrore pranë portit kryesor të Latakisë, në veriperëndim të vendit.

Për gjysmë shekulli, familja Assad sundoi mbi Sirinë me një dorë të hekurt, me raporte të dokumentuara gjatë për torturat masive të burgosjeve, vrasjet jashtëgjyqësore dhe mizoritë kundër popullit të tyre. Të dielën, pas 13 vitesh lufte civile që copëtoi vendin, regjimi u rrëzua. Luftëtarët rebelë e shpallën Damakun “të çliruar” në një deklaratë video në televizionin shtetëror, duke e dërguar presidentin sirian Bashar al-Assad të arratisej në Rusi. /gazetajone