Në 12 Tetor në Kuvend do të diskutohet dhe në fund pritet që të miratohet një rezolutë për sulmin e terroristëve serbë në Banjskë në 24 Shtator.
Partia Socialiste ka dorëzuar sot në Kuvend një projekt-rezolutë për ngjarjet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë ku humbi jetën polici shqiptar Afrim Bunjaku dhe u plagosën 2 të tjerë.
Në draftin që i është dërguar parlamentit për miratim vlerësohet se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj. Gjithashtu Edi Rama kërkon që hetimi për terroristët të bëhet nga Serbia.
Kjo pikë bie ndesh me kërkesën e Kosovës që kërkon që terroristi që udhëhoqi grupin Milan Radoçiç dhe të tjerët të ekstradohen në Kosovë për t’u hetuar, gjykuar dhe dënuar.
Këto dy pika pritet që të sjellin kundërshtitë mes dy palëve. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka kërkuar që Partia Socialiste duhet të tërhiqet nga pika që “Serbia duhet të kryejë hetime” për sulmin në Banjskë më 24 shtator.
Bardhi u shpreh se “besoj duhet të ketë qenë një lapsus”, duke shtuar se PD dhe PS do të duhet të mbështesin qëndrimin e Kosovës për një hetim ndërkombëtar.
“Ne dhe PS do të mbështesim qëndrimin e Kosovës, do të duhet të ketë një hetim ndërkombëtar. Nuk mundet që rezoluta e Kuvendi të Shqipërisë, të pasqyrojë nën të, besoj duhet të ketë qenë një lapsus edhe një qëndrim nga i cili grupi parlamentar i PS duhet të tërhiqet që ne të pasqyrojmë qëndrimin e Serbisë në rezolutën tonë.
Ngjarja ka ndodhur në Kosovë dhe qëndrimi i saj ka qenë që të ketë një hetim ndërkombëtar mbi rolin dhe përgjegjësinë e Serbisë, që ne e mbështesim 100%”, tha Gazment Bardhi.