Një grup të rinjsh në Durrës janë përfshirë në një konflikt me armë zjarri dhe për pasojë dy prej tyre janë lënduar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:15 minuta, në lagjen nr. 10. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se gjithçka ka nisur pas një sherri në rrjetin social TikTok.
Të njëjtat burime pohuan se shtetasi me inicialet K. M., 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri, dhe si pasojë, janë dëmtuar lehtë shtetasit J. V., 21 vjeç, dhe A. H., 21 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 12, Durrës.
Njoftimi i policisë:
Në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:15 minuta, në lagjen nr. 10, dyshohet se për shkak të një konflikti në rrjetin social TikTok, shtetasi K. M., 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri, dhe si pasojë, janë dëmtuar lehtë shtetasit J. V., 21 vjeç, dhe A. H., 21 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 12, Durrës.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se autori i dyshuar, shtetasi K. M., rreth orës 22.30, të mbrëmjes së djeshme ka debatuar në telefon me shtetasin M. V, (kushuri i shtetasit J. V.) dhe i ka lënë takim për tu sqaruar në afërsi të banesës së shtetasit M. V.
Shtetasi M. V., pasi ka marrë kushëririn e tij shtetasin J. V., dhe shtetasin A. H., (shok i përbashkët i tyre) ka shkuar në vendin ku e kishin lënë për tu sqaruar me shtetasin K. M.
Ky i fundit sapo ka parë që këta shtetas janë afruar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së shtetasit M. V., dhe është larguar menjëherë.
Si pasojë, (dyshohet nga plumb rikoshet) janë lënduar lehtë shtetasi J. V., i cili pas ndihmës mjekësore ka dalë nga spitali, dhe shtetasi A. H., që aktualisht po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë nga shërbimet e Policisë janë ngritur pika kontrolli, në akset rrugore, janë njoftuar pikat e kalimit kufitar, dhe po ushtrohen kontrolle në banesa e ambiente ku dyshohet se mund te fshihet 25 vjeçari me qëllim kapjen e tij.