Naim Bajri, 68-vjeç, është viktima e radhës e përplasjeve me armë mes fiseve në Shkodër, që kanë shkaktuar dhjetra të vrarë në këto vitet e fundit.

Biznesmeni i peshkut u ekzekutua mëngjesin e sotëm në afërsi të markatës në lagjen rus, teksa ishte duke pirë kafen me punëtorin e tij, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur, si pasojë e breshërisë së armës. Astrit Zeneli fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bajri dyshohet se është qëlluar me 10 plumba, nga dy persona të maskuar, ndërkohë që makina e autorëve u gjet e djegur disa minuta pas ngjarjes në Baypasin e Shkodrës.

Lidhur me ngjarjen kanë reaguar dhe blutë e Shkodrës:

Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.