Një aksident i pazakontë ka ndodhur në aksin Vlorë-Kuç pak çaste më parë, ndërsa aktualisht nuk raportohet për të lënduar.
Policia thotë se një makinë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, e pas verifikimeve ka rezultuar se makina është marrë me qira nga dy vajza.
Këto të fundit, identiteti i të cilave nuk dihet, dyshohet se e kanë braktisur automjetin dhe janë larguar pas aksidentit.
Deri tani në spital nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore asnjë person i dëmtuar.
Informacion paraprak nga policia e Vlorës:
Më datë 13.08.2023, në aksin rrugor Vlorë-Kuç, ka dalë nga rruga (është përmbysur) një automjet tip “Volskwagen”.
Në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar persona dhe nga verifikimet paraprake të kryera, rezulton se automjeti është në pronësi të shtetasit L. R., banues në Fier, dhe dyshohet se është marrë me qira nga një shtetase.
Po nga verifikimet paraprake të kryera, dyshohet se automjeti drejtohej nga një shtetase e cila është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të rastit, së bashku me një shtetase tjetër, pasagjere në automjet.
Në lidhje me këtë rast, deri tani, nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore asnjë person i dëmtuar.