Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me një ngarkesë mbetjesh të rrezikshme që u nis në drejtim të Tajlandës. Mësohet se referimi është bërë nga Drejtoria e Doganave dhe paraprakisht akuza është për “kontrabandë me mallra të. rrezikshme.
Gazeta Jonë gjithashtu mbrëmë raportoi për një ngarkesën me mallra të rrezikshme që u nis dhe u kthye pas në Portin e Durrësit. “Bloomberg” pasqyroi i pari për këtë rast pas denoncimeve të bëra nga organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit ndërsa kompania Maersk ka vendosur të kthejë dy anijet që mendohet se janë të ngarkuara me rreth 800 tonë mbetje industriale nga Shqipëria.
Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ende nuk ka asnjë reagim zyrtar për këtë çështje delikate. Tashmë është e paqartë nëse 800 ton ngarkesë janë mbetje të Shqipërisë apo të marra nga vende të tjera. Ngarkesa mund të jetë marrë dhe nga një vend tjetër edhe pse në letra origjina është në Shqipëri. Specialistë të fushës pohojnë për VNA se sasi të tilla mbetjesh mund të prodhojnë furrat e KURUM apo ato të minierave.
Gazeta Jonë ka mësuar gjithashtu se kompania që është marrë me transportin e mbeturinave të rrezikshme është e regjistruar me emrin “Sokolaj shpk”. Kompania ka leje për transportin e mbeturinave të rrezikshme të marrë në vitin 2022. Ndërsa dy vite më pas, në 2024, ajo angazhohet me transportin e 800 ton mbetjeve toksike. Një sasi e madhe kjo për një kompani me thuajse aspak eksperiencë në këtë fushë. Kompania nuk jep detaje se si i ka mbledhur dhe paketuar këto mbetje pasi ajo është autorizuar vetëm për transportin e tyre. Në faqen zyrtare të kompanisë, në rubrikën përkatëse, nuk ka asnjë ekspert të lincencuar mjedisi. Edhe pse ligji e përcakton qartë që duhet të jetë një i tillë.
Fakt është se 800 ton pluhur nga furra elektrike u ngarkuan në portin e Durrësit në muajin korrik dhe kishin si destinacion final Tajlandën.Pluhuri nga furrat, që kërkon trajtim, është një produkt mbeturinash të rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i hekurit të përdorur dhe përmban okside metalesh toksike si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Autoritetet në Tajlandë dhe Singapor kanë njoftuar zyrtarisht se nuk do të pranojnë dërgesat me mbeturina të rrezikshme të nisura nga Shqipëria. Anijet e ngarkuara në Portin e Durrësit kanë fikur aparaturat e gjurmimit ndërkohë që zyrtarisht ndodhen në rrugën e kthimit drejt Shqipërisë.