Alban Kastrati një nga organizatorët e “Sunny Hill Festival” ka deklaruar se po planifikohet që ky festival në të ardhmen të mbahet në të dyja kryeqytetet shqiptare, Tiranë e Prishtinë. Në një intervistë për emisionin “Ça ka 3” në KTV, Kastrati tha se festivali i takon Prishtinës, ndaj pritet që në të ardhmen tu jepet mundësia që ta mbajnë sërish aty, por duke vijuar edhe projektin në Tiranë.
“Dëshira është që t’i kemi dy edicione, por gjithsesi edhe në Prishtinë sepse festivali nëse emrin e ka Sunny Hill, i takon Prishtinës dhe duhet ta ketë një hapësirë të përhershme, e cila duhet të jetë dinjitoze dhe ia mundëson ta realizojë gjithë potencialin që e ka festivali,”- ka thënë Kastrati.
Sunny Hill Festival do të mbahet këtë gusht në Tiranë. Transferimi erdhi pas Dukagjin Lipa, babai i këngëtares Dua Lipa nuk gjeti dakortësi me Prishtinën për marrjen e 17 hektarëve tokë për shfrytëzim 99 vjet. Pritja e gjatë bëri që Lipa të arrinte në një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama e kryebashkiakun Erion Veliaj. Kjo zhvendosje solli reagime të forta dhe kryeministri Albin Kurti u akuzua se po largonte artin nga vendi.