Pas publikimit në media të të dhënave të marra nga e-mailet drejtuar ish-kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zbuluar nga hakerat, se ka pasur një plan të dy personave nga Kosova dhe një tjetër nga Shqipëria për të vrarë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka reaguar edhe zyra e shtypit e Kurtit.
Sipas tyre, për atentatin e planifikuar ndaj Albin Kurtit një vit më parë, kreu i qevervisë së Kosovës është njoftuar nga autoritetet, të cilat kanë marrë menjëherë masa.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi. Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”, thuhet në reagimin për Euronews Albania.
Sipas e-mailit thuhet se gjithçka duhej bërë për të sjellë destabilizim në të dyja vendet. Ai i është dërguar në vitin 2021 Gledis Nanos.
I dyshuar për atentatin del se është Prek Kodra nga Shqipëria i cili thuhet se ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Duke iu referuar informacioneve të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha.
Një muaj më pas thuhet se do të vritej Xhavit Haliti, që të dukej gjithçka si hakmarrje mes tyre. Ndërsa pas tyre do të vritej kryeministri Albin Kurti, për të destabilizuar Kosovën. Këto tre vrasje ishin planifikuar të kryheshin në harkun kohor të tre muajve të ardhshëm që nga hartimi i planit.