Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Të huajt kanë dhënë po të njëjtat argumente, si edhe studiues dhe analistë shqiptarë me qëndrime kritike që e dënojnë si krim të organizuar shtetëror vdekjen e Mehmet Shehut. Në kushtet e rënda të presionit të madh të udhëheqësit kryesor, të mbështetur unanimisht nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, vetë Mehmet Shehu shprehet në letrën e fundit se vendosi të vrasë veten. Në këtë vendim të tij mendohet se ai ka zgjedhur këtë akt për të mos u dënuar më tej politikisht dhe juridikisht, si dhe për të ruajtur figurën e tij politike pas vdekjes, siç kishte ndodhur edhe për personalitete të tjera të deklaruara të vetëvrara.

Argumentet bazohen në letrën dhe në praktikën e zbatuar nga udhëheqësi kryesor. Në këtë kuptim, përfundimet janë të arsyeshme. Udhëheqësi kryesor nuk do të zbatonte të njëjtën metodë edhe për kryeministrin. Ai do të vepronte me ashpërsinë më të madhe të mundshme që të dënonte rëndë kryeministrin, të tregonte se ishte akoma i pushtetshëm dhe frika nga pushteti i tij bënte të dridhej cilido që do të tentonte të mendonte ndryshe. Qëndrimi ndryshe dhe rreptësia, duke goditur me dorë të hekurt kryeministrin, bazohen në rrethanat e reja në të cilat ndodhej ai vetë, pushteti i tij dhe gjendja politike e popullit. Udhëheqësi kishte të qartë, së pari, se ai vetë ishte në prag të fundit të jetës së tij.

Së dyti, do të dëshmonte se shkëputej me dhunë shtetërore nga kryeministri kur kishte vendosur përfundimisht për trashëgimtarin e pushtetit të tij.

Së treti, ndodhej në rrethanat e rënduara të gjendjes politike që keqësohej për shkak të krizës ekonomike që kishte mbërthyer vendin, por që fshihej dhe ndalohej të flitej për gjendjen reale. Duke eliminuar kryeministrin, si pengesën e vetme për trashëgimin e pushtetit te njeriu që ai mendonte se do të ishte më i përshtatshëm, do të krijoheshin rrethana të reja politike. Me këto rrethana të reja do të gjendeshin arsyet për të akuzuar kryeministrin si personi përgjegjës, për shkak të funksionit të tij, për gjendjen e rëndë ekonomike dhe dobësimin e mekanizmit shtetëror. Këto arsye të vlerësuara objektivisht lejojnë të arrihet në përfundimin se kryeministri do të viktimizohej për të hapur rrugën për pasardhësin e ri, por edhe do të bëhej shembull që të ndëshkohej edhe pas vdekjes vepra e tij.

Figura politike dhe shtetërore e kryeministrit do të stigmatizohej, linçohej dhe njollosej në mënyrën më të shëmtuar që të mos tolerohej asnjë ndjenjë sentimentalizmi dhe të mos mund të rehabilitohej më vonë. Duke nxjerrë mësime nga krimet e kryera nga Stalini dhe eliminimet mafioze nga Mao Ce Duni, Enveri do të tregohej më i vëmendshëm, do të vepronte më me rreptësi dhe do të zhdukte çdo provë të mundshme. Vrasja fizike do të shoqërohej në mënyrë të rrufeshme edhe me vrasjen e figurës politike, shtetërore dhe personale të kryeministrit dhe të familjes së tij, që të mos përsëriteshin rastet e rehabilitimit në kohë të tjera dhe me ndryshimin e rrethanave politike, sa ishte vetë gjallë dhe pas vdekjes së tij.

Me këto përfundime argumentohet vrasja e Mehmet Shehut edhe në medien ndërkombëtare, si dhe në libra të botuar nga autorë të huaj që kanë studiuar zhvillimet politike në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë publikuar përfundime dhe qëndrime të qarta zyrtare. Institucionet shtetërore amerikane i kanë marrë me rezerva të dhënat jugosllave dhe nuk kanë bërë komente rreth tyre. Administrata e Departamentit Amerikan të Shtetit ka marrë dhe ka analizuar të dhënat e marra nga institucionet shtetërore dhe burimet jozyrtare jugosllave dhe shqiptare. Amerikanët kanë ruajtur mendimin se për ngjarjet ku përfshihet Shqipëria dhe Jugosllavia, kjo e fundit është gjithnjë e gatshme për të dhënë variantin më të errët, megjithatë mes tyre mund të ketë edhe të vërteta.

Përfundimi kryesor ishte se vdekja e Shehut nuk ishte një vetëvrasje e thjeshtë. Evidentohen këto referime:

Departamenti Amerikan i Shtetit